Asnjë shtet tjetër në botë nuk ka kontribuuar më shumë se SHBA-ja që shqiptarët të jenë këtu ku janë sot, kudo që jetojnë, duke qenë në kulmin historik të zhvillimit të tyre. Kurrë përgjatë historisë shqiptarët nuk kanë jetuar më mirë se sot.
Pse duhet kujtuar këto? Për shkak se jemi me fat që interesimi i SHBA-së vazhdon të jetë i kthyer drejt nesh.
A do të mund ta paramendonim një situatë paralele?
Çka nëse SHBA-ja, e zënë me çështje të tjera, do ta linte çështjen e Kosovës dhe Serbisë krejtësisht në duar të Bashkimit Evropian? Dhe atë, nën vullnetin e 27 shteteve të BE-së, pesë prej të cilave nuk e njohin pavarësinë e Kosovës e nja pesë të tjera e kanë njohur Kosovën vetëm pse këtë ua ka kërkuar SHBA-ja, siç ua ka kërkuar SHBA-ja njohjen e Kosovës edhe rreth gjysmës së shteteve anembanë rruzullit.
Thënë këto, dikush do të mund ta çonte argumentimin edhe më larg. Paramendojeni një situatë paralele kur vetë shtetet e Bashkimit Evropian do të ishin pa mbështetjen e SHBA-së karshi agresionit që ka bërë Federata Ruse në Ukrainë. Sa do të ishte e sigurt sot kjo Evropë, alamet shtete si Gjermania dhe Polonia, në qoftë se nuk do ta kishin përkrahjen e parezervë të SHBA-së për t’i bërë bashkë ballë Putinit?
Nëse të gjitha shtetet e BE-së do ta kundërshtonin agresionin e Putinit në Ukrainë, por vetëm SHBA-ja ta përkrahte, sot Zelenskyy, në rastin më të mirë, do të ishte President i Ukrainës në ekzil, kurse Ukraina sigurisht pjesë e Rusisë.
Thjesht, Evropa sot, ky kontinent shtëpi e 750 milionë banorëve, nuk do të ishte kjo që është pa aleancën e fuqishme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.