Jennifer Lawrence është shfaqur shpesh në publik me një shami të vendosur rreth kokës ose qafës, por aktorja ka sqaruar se ky detaj nuk ka të bëjë me modën.
Qoftë një shami mëndafshi apo një shall më i trashë, aksesori ka një qëllim praktik. Në një intervistë të re për Vogue, Lawrence zbuloi se e përdor për të mbuluar njollat e melazmës, një gjendje e lëkurës që shkakton shfaqjen e njollave më të errëta.
Aktorja shpjegoi se ka nisur të përdorë tretinoinën, një medikament që përdoret për trajtimin e akneve dhe zbutjen e shenjave të dëmtimit të lëkurës nga dielli. Megjithatë, përdorimi i saj ka bërë që lëkura t’i fillojë të zhvishet.
“Kam mbajtur shami mbi njollat e melazmës që kur kam filluar të përdor tretinoinën. Sigurisht që më fotografojnë, ndaj njerëzit mendojnë se është ndonjë zgjedhje e imja e modës”, tha Lawrence.
“Në fakt, jam thjesht e lodhur, lëkura po më zhvishet dhe po përpiqem ta përballoj ditën”, shtoi ajo.

Sipas Akademisë Amerikane të Dermatologjisë (AAD), melazma është një gjendje e lëkurës që shkakton shfaqjen e njollave më të errëta se pjesa tjetër e lëkurës, kryesisht në fytyrë. Ajo shfaqet më shpesh te gratë dhe te disa persona mund të shfaqet edhe gjatë shtatzënisë.
Njollat mund të bëhen më të dukshme gjatë muajve të verës, ndërsa në dimër shpesh zbehen. Për këtë arsye, rekomandohet mbrojtja e përditshme nga dielli, si dhe përdorimi i kapelave apo mjeteve të tjera mbrojtëse.
Lawrence, 36 vjeçe, shpjegoi se e vendos shaminë në një mënyrë të caktuar pasi njollat i janë shfaqur kryesisht në mjekër dhe në faqe.
“Nuk më intereson sa qesharake dukem. Melazma është më e rëndësishme për mua sesa kjo”, u shpreh aktorja.
Gjatë intervistës, Lawrence foli gjithashtu për trajtimet estetike që ka bërë dhe ato që ka menduar t’i nënshtrohet.

Ajo tregoi se kishte menduar për heqjen e dhjamit nga faqet, një procedurë e njohur si “buccal fat removal”, e cila synon t’i japë fytyrës konture më të theksuara dhe mollëza më të dukshme.
E pyetur se pse nuk vendosi ta kryente këtë ndërhyrje, aktorja e njohur për filmin “Silver Linings Playbook” u përgjigj se “të gjithë do ta kuptonin menjëherë”.
Megjithatë, Lawrence pranoi se përdor atë që njihet si “baby botoks” – injektimin e sasive më të vogla të botoksit për të zbutur rrudhat, duke ruajtur njëkohësisht mimikën natyrale të fytyrës.
Për të, ruajtja e shprehjeve të fytyrës është veçanërisht e rëndësishme për shkak të profesionit të saj si aktore.
“Duhet ta ruaj mimikën e fytyrës. Përdor ‘baby botoks’, por nuk mund ta teproj”, tha Lawrence. /Telegrafi/