Tetë muaj pas emërimit, ka dhënë dorëheqje anëtari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë (Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim), Osman Ismaili.
Dorëheqjen e tij e ka ofruar një ditë më parë, përmes një letre drejtuar ushtruesit të drejtorit të Agjencisë së Akreditimit, Shkëlzen Gërxhaliu, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në korrik të vitit të kaluar, ish-ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, e kishte emëruar Ismailin në kundërshtim me procedurat ligjore, pasi Ministria nuk kishte bërë shpallje publike për nominimin e kandidatëve për këtë pozitë. Po ashtu, emri i Ismailit nuk ishte ratifikuar në Kuvend siç e parasheh “Udhëzimi për kriteret dhe procedurat e emërimit të anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë”. Kjo kishte ngjallur reagime të shumta të Komisionit parlamentar për arsim, anëtarët e të cilit i kërkonin Bytyqit anulimin e këtij vendimi.
Gazeta ka tentuar të marrë një qëndrim nga Ismaili rreth dorëheqjes së tij, por kontakti me të ka qenë i pamundur.