Drejtoresha e Shërbimit Sekret amerikan, Kimberly Cheatle, dha dorëheqje, sipas një emaili që ajo ia dërgoi stafit të saj, pas atentatit ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump, në një tubim zgjedhor më 13 korrik.
Cheatly, që kishte qenë në krye të Shërbimit Sekret që nga gushti i vitit 2022, u përball me thirrje për dorëheqje dhe me disa hetime lidhur me atë se si sulmuesi i armatosur arriti të qëndronte aq afër kandidatit republikan për president gjatë tubimit që ai mbajti në Pensilvani.
“Marr përgjegjësinë e plotë për dështimin e sigurisë”, tha ajo në emailin që e dërgoi të martën, më 23 korrik.
“Pas ngjarjeve të fundit, ju njoftoj se kam marr vendimin e vështirë që të tërhiqem nga posti i drejtoreshës”, shtoi ajo.
Një ditë më herët, Cheatly dëshmoi para Kongresit amerikan dhe tha se atentati ndaj Trumpit ishte “dështimi më i madh operacional” i agjencisë në dekada.
Sulmuesi 20-vjeçar, Thomas Matthew Crooks, arriti të afrohej 135 metra nga skena ku ish-presidenti Trump po fliste dhe më pas hapi zjarr drejt tij. Trump u plagos lehtë në vesh, ndërkaq një person në audiencë u vra.
Trump mbajti këtë tubim pavarësisht se është raportuar se kishte pasur një kërcënim ndaj jetës së tij të bërë nga Irani.
Drejtoresha e Shërbimit Sekret deklaroi para Kongresit se agjencia nuk ka pranuar kërkesë për shtim të sigurisë për tubimin e 13 korrikut.
“Nuk kemi mohuar asnjë aset për ngjarjet e 13 korrikut”, tha ajo para Kongresit.
“Ne besojmë se ka pasur numër të mjaftueshëm të agjentëve” në tubimin e Trumpit më 13 korrik, tha ajo.
Ligjvënësit amerikanë kanë shprehur zemërim sesi i armatosuri mund t’i afrohej kaq shumë kandidatit republikan për president, kur ai supozohej të ruhej me kujdes. /REL