Jep dorëheqje gjykatësi Driton Muharremi

Prishtinë | 24 Dhj 2021 | 12:39 | Nga Ekonomia Online

Gjykatësi Driton Muharremi është dorëhequr nga sistemi gjyqësor, duke ofruar dorëheqje me shkrim, si i pakënaqur me vendimin për transferimin e tij në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në një njoftim drejtuar Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj dhe Ushtruesit të Detyrës së Kryetarit të Gjykatës së Apelit, Afrim Shala, gjykatësi Driton Muharremi ka thënë se po “me rastin e 20 vjetorit të karrierës së suksesshme profesionale në sistemin gjyqësor të Kosovës jap dorëheqje të parevokueshme nga pozita e gjyqtarit”. “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar gjyqtarin Muharremi, i cili e ka konfirmuar lajmin e dorëheqjes, duke u shprehur i zhgënjyer me vendimin e tij për transferim.

“Kam kontribuar për 20 vjet në sistemin gjyqësor të Republikës së Kosovës dhe jam thellësisht i zhgënjyer me vendimin e Këshillit Gjyqësor për transferimin tim në Gjykatën Themelore, sepse është vendim skandaloz dhe i pabazuar. Prej sot për mua fillon një kapitull i ri në jetën time profesionale dhe akademike”, ka thënë Muharremi.

Gjyqtari Muharremi pas publikimit të audio-incizimeve nga portalin Shqip.com, ishte dorëhequr edhe nga anëtari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK). Në letrën që Muharremi i ka dërguar kryesuesit të KGJK-së, ai ka thënë se përkundër faktit se këto incizime janë të orkestruara nga grupe interesi, qëllimi i tij është mbrojtja kredibilitetit të institucionit të KGJK-së.

“Jeni dëshmitarë te disa incizimeve jo ligjore te publikuara keto dite nga nje portal ne Kosove ku une degjohem duke biseduar me nje person! Edhe pse konsideroj se keto incizime jane keqinterpretuar, nuk kanë asgje te bejne me ate qe dikush pretendon te duken dhe jane komplet te orkestruara nga grupe interesi, se nuk kane te bejne fare as me punen time si gjyqtarë e as i anetare i KGJK-se (pasi qe ne ate kohe nuk kam qene anetare i KGJK-se) per cka besoj qe kjo do te vertetohet ne ditet ne vazhdim, jap doreheqje te parevokueshme nga pozita e anetarit te KGJK, me te vetmin qellim qe institucioni i KGJK-se te mbetet i pa kontestuar jo vetem nga publiku por edhe nga grupet e interesit qe kane tendenca te nderhyrjes ne sistemin gjyqesor!”, thuhej në letrën e dorëheqjes së Muharremit.

Pas këtyre, përgjimeve, gjyqtari Muharremi, me vendim të Këshillit Gjyqësor, nga Gjykata e Apelit ishte transferuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Të ngjashme