Parlamenti i Turqisë pritet të zgjedhë kryetarin e ri më 24 shkurt pas njoftimit tëkryetarit aktual për largimin e tij nga detyra për të garuar në zgjedhjet lokale për postin e kryebashkiakut të Stambollit, raporton Anadolu Agency (AA).
Nënkryetari Celal Adan mori përsipër detyrën pasi kryeparlamentari Binali Yıldırım, i cili po kandidon për kryebashkiak të Stambollit, njoftoi dorëheqjen përpara zgjedhjeve lokale të 31 marsit.
Dorëheqja e Yıldırımit pritet të zyrtarizohet rreth datës 19 shkurt, kurse zgjedhja e pasardhësit të tij planifikohet të ndodhë më 24 shkurt.
Në përputhje me kushtetutën, zgjedhja e kryetarit të ri zhvillohet nëpërmjet votimit të fshehtë. Partia e Lëvizjes Nacionaliste (MHP) ka njoftuar se do të mbështesë kandidatin e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në pushtet.
Në dy raundet e para të votimit, të paktën 401 nga 600 vota të deputetëve nevojiten për të fituar postin e kryetarit.
Ndërkaq, nëse nevojitet raund i tretë, atëherë do të duhen vetëm 301 vota dhe në një raund të mundshëm të katërt, shumica e thjeshtë mjafton për të fituar.