Jep dorëheqje ministri norvegjez, nuk respektoi protokollet e sigurisë

Prishtinë | 13 Gus 2018 | 18:34 | Nga

Ministri norvegjez i Peshkimit, Per Sandberg ka dhënë dorëheqje, pas kritikave të shumta, pasi ai nuk kishte informuar Qeverinë lidhur me disa udhëtime private në Iran dhe Kinë.

Sandberg ka pranuar se ka udhëtuar në korrik në Iran dhe në Kinë kishte qëndruar gjatë muajit maj. Ai ka thënë se për këto udhëtime, nuk e kishte njoftuar paraprakisht Zyrën e Kryeministres.

Sandberg, 58-vjeç, është zëvendëskryetar i partisë për Progres, që është parti me politika anti-migratore. Ai ka pranuar, se gjatë udhëtimeve në Iran dhe Kinë – ku ka qenë i shoqëruar nga e dashura e tij – kishte pasur me vete telefonin e punës.

Në Norvegji, anëtarët e kabinetit qeverisës janë të obliguar që të njoftojnë paraprakisht Qeverinë lidhur me udhëtimet private jashtë vendit, pavarësisht se cilin vend do të vizitojnë.

Norvegjia po ashtu ndalon përdorimin e telefonave të lëshuar nga Qeveria në shtetet ku Norvegjia nuk ka bashkëpunim në fushën e sigurisë.

Pasi ishte kthyer nga Irani, Sandberg ishte urdhëruar që ta dorëzojë telefonin e tij të punës në shërbimin e inteligjencës, për t’u siguruar se telefoni nuk i është hakuar në Iran.

Norvegjia vazhdimisht liston Iranin në mesin e vendeve ku më së shumti kryhet spiunazh, së bashku me Kinën dhe Rusinë.

Sandberg, megjithatë, nuk ka dhënë asnjë arsye se pse ai ka shkelur protokollet e sigurisë së Qeverisë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme