Detaje të reja mësohen nga tragjedia në Vlorë ku tre të rinj janë mbytur në plazhin e Zvërnecit pranë Portonovës. Të gjithë viktimat ishin të rinj.
Mësohet se 4 të rinj ishin në plazh, ndërsa dy motrat kanë hyrë në ujë të lahen, rrymat e forta dhe dallgët i kanë rrëmbyer me vete. Motra tjetër e tyre ka shkuar për t’i ndihmuar dhe ka thirrur edhe të riun nga Maqedonia për t’i ardhur në ndihmë.
Të katërt të rinjtë kanë luftuar për t’i shpëtuar detit të trazuar por 3 prej tyre nuk kanë mundur të dalin të gjallë në breg.
E vetmja e mbijetuar është vajza që i ka kërkuar ndihmë të riut. Ajo ka njoftuar dhe policinë. Ndërsa nga ato pak fjalë që ka arritur të komunikojë me efektivët në kushtet e një tronditje të thellë, vajza ka pohuar se i ka thënë të riut nga Maqedonia të shpëtonte motrat e saj. Identitetet e viktimave ende nuk janë bërë të ditur nga policia.