Jepet fjala përfundimtare në gjykimin për vrasjen e rëndë në Baks të Skenderajt, Prokuroria kërkon dënimin e të akuzuarve

Prishtinë | 24 Kor 2024 | 09:21 | Nga Ekonomia Online

Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, të martën është dhënë fjala përfundimtare në rastin ku të akuzuarit Shukri dhe Rexhep Rexhepi në bashkëkryerje po ngarkohen për vrasje të rëndë të B.M, në vitin 2022 në fshatin Baks të Skenderajt. Kurse, Fiton Musliu ngarkohet për vrasje të mbetur në tentativë.

Prokurorja Fetije Bajrami fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim në gjykatë, duke shtuar se mbetet në tërësi pranë aktakuzës së ngritur ndaj të të pandehurve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor, dhe pas administrimit të provave, dëgjimit të dëshmitarëve, pas rikonstruimit të vendit të ngjarjes, pas marrjes se ekspertizave të balistikës dhe ekspertizave mjeko-ligjore, nga raporti i autopsisë së të ndjerit B.M., pa mëdyshje u vërtetua se të pandehurit kanë kryer veprat penale sipas aktakuzës.

Bajrami i propozoi gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtorë për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit.

Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Amir Bunjaku fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim në gjykatë.

Ai tha se gjatë këtij procesi gjyqësor pa mëdyshje është vërtetuar se është humbur jeta e njeriut, e cila është e garantuar me aktet më të larta juridike ndërkombëtare, e që kjo e drejtë iu cenua tani të ndjerit B.M. Ndërsa i propozoi gjykatës që dënimi për të pandehurit të jetë maksimal.

Fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim edhe mbrojtësi i të akuzuarit Shukri Rexhepi avokati Mahmut Halimi, duke thënë ndër të tjera se në ditën kritike të akuzuarit Rexhepi kishin shkuar në dyqan për të blerë pije freskuese me rastin e dasmës së motrës së tyre.

Në ato momente, përfaqësuesit e palës së dëmtuar në cilësi të publikut reagojnë, duke thënë “e ka vendos armën me shku në shitore fëmija me ta, me kallash me shku në shitore”.

Më pas situata u tensionua teksa tre nga pjesëmarrësit u larguan nga salla, ku njëri prej tyre derisa dilte jashtë tha: “nuk është në rregull o gjyqtar se ti e ke punën në dorë këtu, te kom kallxu edhe në ditët e para, ti e ke në dorë me vendosë këta, mbaje në mend mirë qita, ja ki me i gjyku edhe nja 4 a 5 tjerë..”

Lidhur me këto reagime, kryetari i trupit gjykues Mentor Hajraj njoftoi se edhe në seancën e 24 nëntorit 2023 i njëjti person është nxjerrë nga salla e gjykimit për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë, dhe me rastin e largimit nga salla e gjykimit kishte përdorur fjalë kanosje.

Gjykatësi Hajraj tha se procesverbali i datës 24 nëntor 2023, dhe procesverbali i seancës së sotme do t’i dorëzohet kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, në mënyrë që ky organ të vlerësojë nëse është konsumuar ndonjë element i veprës penale apo jo.

Tutje, seanca ka vazhduar me paraqitjen e fjalës përfundimtare nga avokati Halimi, duke shtuar se në bazë të analizës së rastit, veprimet e ndërmarra nga i mbrojturi i tij Shukri Rexhepi rregullohen me dispozitat e institutit të mbrojtjes së nevojshme. Ai i propozoi gjykatës që i akuzuari Shukri Rexhepi për veprën penale vrasje e rëndë të lirohet nga akuza, ndërsa për veprën penale armëmbajtje pa leje t’i shqiptohet një dënim i butë.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Rexhep Rexhepi, avokati Shyqyri Syla e mbështeti fjalën përfundimtare të avokatit Halimi, dhe shtoi se nga provat e mjaftueshme në këtë shqyrtim gjyqësor nuk u vërtetua se i mbrojturi i tij ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Fiton Musliu, avokati Gani Rexha në fjalën përfundimtare tha se deklarimi i ekspertit të psikatrisë lidhur me gjendjen mendore të të pandehurit Musliu në ditën kritike ka qenë kontradiktor dhe kërkoi që gjykata mos t’ia falë besimin të njëjtit.

Ai propozoi që i mbrojturi i tij Fiton Musliu të shpallet fajtor për veprën penale “Vrasje e kryer në gjende të tronditjes së rëndë mendore” nga neni 174, e jo për shkak të veprës penale për të cilën po akuzohet “Vrasje në tentativë”. Ndërsa për veprën penale armëmbajtje pa leje gjykata t‘i shqiptojë një dënim të butë me të cilin do të arrihet qëllimi i dënimit.

Ndërkaq, i pandehuri Fiton Musliu deklaroi se e mbështet fjalën përfundimtare të mbrojtësit të tij, avokatit Rexha, dhe deklaroi se në këtë fazë të procedurës e pranon fajësinë për veprën penale armëmbajtje pa leje.

Më pas, gjykata në bazë të dispozitave ligjore të nenit 322 të KPP-së e aprovoi pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurit Musliu, me arsyetimin se në shkresa të lëndës ka prova të mjaftueshme në bazë të të cilave vërtetohet se i njëjti ka kryer veprën penale.

Ndryshe, i akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Agim Musliu, ndaj të cilit ishte veçuar procedura pas pranimit të fajësisë për armëmbajtje pa leje.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 19 qershor 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Shukri Rexhepit, Rexhep Rexhepit, Fiton Musliut dhe Agim Musliut.

Shukri dhe Rexhep Rexhepi akuzohen se më 23 korrik 2022, në fshatin Baks, Komuna Skenderaj, në bashkëkryerje, kanë privuar nga jeta viktimën B.M, si dhe kanë plagosur të dëmtuarin Labinot Ademi. Rasti thuhet se ka ndodhur pas një fjalosjeje. Kurse, Fiton Musliu akuzohet se me dashje ka filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes mirëpo që e njëjta ka mbetur në tentativë, pasi i njëjti ka shkrepur me pushkë të gjuetisë me qëllim që ta privojë nga jeta Shukri Rexhepin. Kurse, Agim Musliu thuhet se ka mbajtur në posedim armë të zjarrit- pushkë e gjuetisë në kundërshtim me Ligjin për Armë.

Të ngjashme