Shpesh ndihej sikur tifozët e ekipit brazilian Flamengo kishin nevojë për ndërhyrje hyjnore për t’i kthyer ditët e lavdisë të viteve ‘80. Kështu tash është më se e përshtatshme që shpëtimtari i tyre është dikush që quhet Jesus.
Jorge Jesus nuk është as lojtar e as brazilian, por trajner portugez që ka pasur ndikim të madh te Flamengo, ekip të cilin e mori në qershor të këtij viti. Nën drejtimin e tij, skuadra nga Rio ka fluturuar në krye të klasifikimit dhe ka një seri prej 15 ndeshjeve pa humbje.
Prin me 61 pikë, tetë më shumë se përcjellësi më i afërt dhe është vetëm 90 minuta larg finales së Copa Libertadores, që është gara kryesore e klubeve në Amerikën e Jugut. Të mërkurën e ardhshme, ndeshja ndaj Gremios mund ta dërgojë Flamengon në finalen e Libertadoresit për herë të parë pas vitit 1981. Përballja e parë gjysmëfinale ka përfunduar 1:1 kurse e dyta do të luhet në stadiumin ikonik të Brazilit “Maracana”.