Shoqata bamirëse “Jetimat e Ballkanit” përveç Kosovës është duke ndihmuar familjet skamnore në të gjitha trojet shqiptare.
Kjo shoqatë në ditën e 24 të Ramazanit ka zbritur në Tetovë të Maqedonisë për t’iu dalë në ndihmë 100 familjeve që jetojnë në kushte të rënda socio-ekonomike.
Drejtori i kësaj shoqate, Halil Kastrati ka treguar për Ekonomia Online se këto familje që u ndihmuan sot janë përzgjedh nga autoritetet komunale të Tetovës, me ç’rast ka falënderuar kryetaren Teuta Arifi, e cila ndau mirënjohje në shenj falënderimi për këtë shoqatë bamirëse.
“Sot i ndihmuam 100 familje nevojtare ne qytetin e Tetovës ne Maqedoni. Falënderojmë Kuvendin Komunal në krye me kryetaren znj.Teuta Arifi për mikpritjen, nderin, respektin që treguan për ne si Shoqatë. Falënderojmë edhe vëllanë Burhanin me firmën e tij Fashion Kompany e cila dhuroi 200 batanije për aksionin e sotit në Tetovë”, ka thënë Kastrati.
Ai ka treguar se donatorë të aksionit të sotëm kanë qenë 9 donatorë shqiptarë, kryesisht nga diaspora.
Ndërsa ka bërë thirrje që aksione të tilla të përkrahen edhe në ditën në vazhdim, ngase sipas tij familjet që kanë nevojë për dorën e shoqërisë janë të shumta.