Në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, është hapur tenda ku pjesëmarrësit mund të përjetojnë çaste nga jeta e një personi të verbër, raporton Ekonomia Online.
Me syze të errëta e me shkopin e bardhë në dorë, qytetarët kanë mundësi të përjetojnë çaste të personave të verbër. Disa nga ta që zhvilluan këtë aktivitet më pas kanë shkruar edhe për përjetimet e tyre gjatë minutave në errësirë.
Kristian Gashi nga kjo organizatë tha se ky aktivitet ka për qëllim ndërgjegjësimin mbi verbërinë dhe përdorimin e shkopit të bardhë.
“Qëllimi i organizimi i ‘tendës së errët’ ka të bëjë me sensibilizimin e njerëzve për ta përjetuar ndjenjën si është me qenë i verbër edhe është në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë. Tenda do të qëndrojë edhe dy ditë tjera deri të hënën”.
Lirie Abdullahu nga organizata joqeveritare “You can do”, apeloi tek institucionet që t’i marrin parasysh kërkesat që i kanë personat e verbët por edhe personat tjerë me aftësi të kufizuara.
“Qëllimi i këtij aktiviteti është me pa më ndryshe një realitet që ndodh çdo ditë por shumë njerëz prej neve nuk e kemi përjetuar asnjëherë. Është një ndjenjë shumë e veçantë, në të njëjtën kohë po duam t’i ndërgjegjësojmë qytetarët jo krejt gjërat që ne i hasim në rrugë janë ashtu siç ne i shohim. Bota është pak më e vështirë dhe ndihma jonë është tepër me rëndësi. Qëllimi në të njëjtën kohë është për t’iu bërë thirrje institucioneve për kushtet infrastrukturore e për punë e për secilin kusht që një person i verbër e meriton”, u shpreh ajo.
Jusuf Fazliu kryetar i organizatës “You can do”, tregoi për vështirësitë e një personi të verbër në Kosovë. Theksoi mungesën e infrastrukturës në Kryeqytet për personat e verbër.
“Është jashtëzakonisht shumë vështirë, për arsye të mungesës së infrastrukturës së duhur për personat e verbër, sidomos në Kryeqytet ka pak kataktile ku mundet një person i verbër të jetë i pavarur të lëvizë vetë, njëherësh ku do jeni semaforët e duhur edhe pse janë akustik por nuk janë aq orientues por më shumë janë çorientues dhe një person i verbër e ka të pamundur të jetë i pavarur dhe të lëvizë vetë brenda kryeqytetit tonë”, deklaroi ai.