Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, tha të premten se do të ishte më së miri që presidenti amerikan, Donald Trump, të mos përzihet në zgjedhjet britanike kur ta vizitojë Londrën për të marrë pjesë në samitin e NATO-s javën e ardhshme.
Presidenti amerikan ndërhyri në zgjedhjet e Mbretërisë së Bashkuar duke thënë se lideri i opozitës britanike nga Partia Laburiste, Jeremy Corbyn, do të ishte shumë i keq për Britaninë dhe se Johnson-i duhet të bëjë pakt me kryetarin e Partisë së Brexit-it, Nigel Farage.
Të premten, një zyrtar i lartë i administratës së Trump-it tha se presidenti e kupton se nuk duhet të ndërhyjë në zgjedhjet e shteteve të tjera.
Megjithatë, konservatorët britanikë dyshojnë se Trump-i mund të ndërhyjë në fushatë përsëri gjatë qëndrimit në Londër, vetëm një javë para zgjedhjeve të 12 dhjetorit. Sipas anketave paraprake, kryeministri i tanishëm pritet t’i fitojë këto zgjedhje.
“Ajo që ne si aleatë dhe miq të dashur nuk e bëjmë, ajo që ne nuk e bëjmë tradicionalisht është që të përzihemi në fushatat zgjedhore të njëri-tjetrit”, tha kryeministri Johnson për Radio LBC-në.
Për më tepër, ai tha se nëse mbetet në pushtet, do t’i japë fund Brexit-it më 31 janar pas gati katër vjetëve të krizës politike pas referendumit të vitit 2016, në të cilin shumica e britanikëve votuan për largimin e vendit nga BE-ja, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.