Johnson: Kosova dhe Serbia kërkuan angazhim më të madh të SHBA-së

Prishtinë | 25 Tet 2019 | 09:42 | Nga Ekonomia Online

Prishtina dhe Beogradi donin një angazhim më të madh të Shteteve të Bashkuara për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, madje kërkuan që edhe unë të angazhohem për këtë, tha senatori republikan në Uashington, Ron Johnson.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, Johnson tha se i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun, Richard Grenell, dhe përfaqësuesi special i Departamentit amerikan të Shtetit për Ballkanin, Matthew Palmer kanë plan të përbashkët për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, fokusi kryesor i të cilit është ekonomia.

Johnson tha se Kosova duhet të formojë qeverinë dhe se nuk dëshiron të japë “afate artificiale”, për kohën kur mund të arrihet marrëveshja.

“Palmer dhe Grenell janë duke bashkëpunuar. Unë kam biseduar me të dy dhe e di se kanë plan, i cili përqendrohet në mundësitë ekonomike. Unë mendoj se ata mund të arrijnë diçka dhe pastaj të përpiqen t’i kthejnë të dyja palët në tryezë që të punojnë së bashku”, tha senatori amerikan, i cili është kryetar i nën-Komitetit për Evropën dhe Bashkëpunimin Rajonal.

Johnson theksoi se do të ishte mirë që Kosova të heqë taksën që u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia, ndërsa Beogradit i bëri thirrje që të ndalojë të kërkojë nga vendet e tjera t’i tërheqin njohjet për Kosovën.

“Ky do të ishte një hap i rëndësishëm. Mendoj se edhe Palmer edhe Grenell kërkojnë një lloj investimi që do t’i inkurajojë të dyja vendet të bashkëpunojnë. Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të promovuar mundësi më të mira ekonomike, për tërheqjen e investimeve dhe për të dërguar sinjal te qytetarët e të dyja vendeve se këto do të jenë rezultat i një marrëveshjeje të suksesshme”, tha senatori Johnson.

Ai theksoi se fundi i këtij viti nuk është afat real për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe tha se është mirë të shkohet “hap pas hapi”.

I dërguari i posaçëm Grenell ka vizituar ditë më parë Prishtinën dhe Beogradin, duke takuar krerët më të lartë të të dyja shteteve.

Ai ka theksuar në Prishtinë se një marrëveshje ndërmjet dy shteteve do të vë themelin për rritje ekonomike dhe do të kontribuojë për mirëqenien e gjithë qytetarëve.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011.

Aktualisht ky proces i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është pezulluar për shkak të taksës 100 për qind që autoritetet e Kosovës kanë vënë në mallrat e Serbisë dhe Bosnjës në nëntor të vitit të kaluar.

Kjo pasi, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka përmendur këtë masë si arsyetim për mosvazhdim të dialogut.

Heqjen e taksës e kanë kërkuar Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme