Jolevski: Integrimi në NATO, prioritet për Maqedoninë

Prishtinë | 04 Pri 2017 | 16:09 | Nga

Ambasadori amerikan Jess Baily porositi se përmes implementimit të Marrëveshjes së Përzhinës dhe krijimit të kushteve për zgjedhje kredi-bile Maqedonia do të tregojë kompetencë për anëtarësim në NATO.

Në organizim të Këshillit Euroatlantik të Maqedonisë, ndërsa në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, kontakt ambasadat e NATO-s në Maqedoni dhe Zyrës së NATO-s sot në Pallatin e Armatës së Republikës së Maqedonisë (ARM) u shënua Dita e NATO-s, 4 prilli.

Ministri i Mbrojtjes të Maqedonisë, Zoran Jolevski, në fjalimin e tij theksoi se për Maqedoninë integrimi në NATO paraqet prioritet. Sipas tij, komuniteti euroatlantik përballet me një lloj të ri të kërcënimit dhe sfidave siç janë terrorizmi, lufta hibride, sulmet kibernetike, migracioni ilegal dhe ndryshimet klimatike.

Ai konsideron se këto “kërcënime”, kërkojnë që institucionet e shteteve anëtare dhe partner të NATO-s të miratojnë një kornizë strategjike për përballje me to.

Nga ana tjetër, ambasadori i SHBA-ve në Maqedoni Jess Baily porositi se përmes implementimit të Marrëveshjes së Përzhinës dhe krijimit të kushteve për zgjedhje kredibile, si dhe respektimin e llogaridhënies dhe sundimit të ligjit në shtet, Maqedonia do të tregojë kompetencë për anëtarësim në NATO.

Ai konsideron se, shteti duhet t’i shfrytëzojë mundësitë dhe të tejkalojë kontestin me emrin me Greqinë, nëse dëshiron të dëshmojë se është kandidat adekuat për anëtarësim në NATO.

“Sigurisht, në fund kjo varet nga liderët politikë, ndërsa edhe nga qytetarët e Maqedonisë, që ta shtyjnë këtë përpara. Por, kjo është me rëndësi kyçe për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe integrimin në Bashkimin Evropian sikur tha dje edhe presidenti i Këshillit Evropian”, tha Baily.

Kryetari i Këshillit Euroatlantik të Maqedonisë, Ismet Ramadani, në fjalimin e tij mes tjerash tha se anëtarësimi në NATO është e vetmja rrugë deri te stabilizimi dhe prosperiteti i Maqedonisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ai shtoi se Maqedonia implementon reforma të rëndësishme në pjesën e mbrojtjes dhe sektorët tjerë. Lidhur me krizën politikë në shtet, ai tha se të gjithë duhet të respektojnë dhe përmbushin “Marrëveshjen e Përzhinës”, ndërsa sipas tij, të gjithë së bashku pavarësisht se cilës parti dhe etnikumi i përkasin dhe të gjithë të punësuarit në institucionet shtetërore duhet të kontribuojnë për afirmimin e vlerave euroatlantike.

“Intenca jonë, qëllimet tona, janë vetëm në një, nëse ne synojmë drejt integrimeve euroatlantike, atëherë kemi vetëm një platformë të përbashkët. Ajo është platforma e Brukselit – anëtarësimi në NATO dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian”, porositi Ramadani.

Dita e NATO-s është ngjarje e cila tradicionalisht shënohet në të gjitha shtetet anëtare të Aleancës, si dhe në shtetet partnere. Në këtë ditë në vitin 1949, 12 shtete në Uashington nënshkruan Marrëveshjen me të cilën u themelua Aleanca Veri-atlantike.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme