Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Jonuz Muzliu, u ka bërë thirrje shqiptarëve në Luginën e Preshevës, që t’i bojkotojnë zgjedhjet presidenciale në Serbi, më 2 prill.
Ai i tha agjencisë Beta se këtë thirrje e ka bërë për shkak se asnjëri prej kandidatëve presidencialë në programin e tij nuk ka treguar interesim për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve në Serbi.
Musliu, që është edhe lider i Lëvizjes për Progres Demokratik, ka deklaruar se të gjithë kandidatët për zgjedhjet presidenciale në Serbi kanë “treguar diskriminim ndaj shqiptarëve, që është edhe shkak i ftesës së tij, që votuesit shqiptarë të mos marrin pjesë në zgjedhje”.
“Thirrja për bojkot nuk u është drejtuar vetëm mbështetësve të Lëvizjes për Progres Demokratik, por të gjithë shqiptarëve, pasi këtë thirrje për shkak të diskriminimit, e kam bërë si kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve”, ka thënë Jonuz Musliu.
“Nuk është zgjidhur asnjë problem i shqiptarëve, as mungesa e librave mësimor, as përdorimi i simboleve dhe nuk ka as investime”, thotë Musliu, i cili është edhe kryetar i komunës së Bujanovcit.