Kosova ka përfaqësuesen e saj, por shumë futbollistëve kosovarë u duhet të mendojnë gjatë për të marrë një vendim përfundimtar nëse do të përfaqësojnë atë. E pavendosmëria e tyre po nxit konflikt, sidomos mes dy shteteve shqiptare – Kosovës e Shqipërisë.
Kombëtarja shqiptare, e furnizuar për vite të tëra me futbollistë nga Kosova, po vazhdon të kërkojë talente kosovarë edhe tash kur Kosova është pjesë e UEFA-s e FIFA-s dhe merr pjesë në gara zyrtare. Për këtë çështje, së fundi krerët e FFK-së kanë thënë se do të paraqesin FSHF-në në FIFA, shkruan sot Koha Ditore.
I fundit prej lojtarëve që “po nxit” këtë konflikt mes Prishtinës e Tiranës është ish-futbollisti i Prishtinës, tash i Genkut belg, Edon Zhegrova.
18-vjeçari i lindur në Herford të Gjermanisë, por i rritur në Kosovë, ende nuk ka vendosur se fanellën e së cilës përfaqësuese do ta bartë në të ardhmen. Ftesë ka nga të dyja falë paraqitjeve të mira në kampionatin belg.