Fjalimi i deputetit të PDK-së, Hisen Berisha, i cili për rastin e Astrit Deharit, tha se ka ndërhyrje direkte të Qeverisë dhe se interesi i VV-së është që ky rast të mos zbardhet ka nxitur reagimin e ashpër të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ministrja e VV-së tha se Dehari u vra gjatë kohës sa Berisha (PDK) ishte në pushtet dhe se edhe ai “i ka duart e përlyera me gjak”.
“Ju keni qenë në Qeveri kur është vra Dehari. Ju nuk keni të drejtë të flisni për Astritin. Ju i keni duart e përlyme me gjak. Marre. Ai është është vra në kohën e jauj. Mbylle”, tha Haxhiu.
Më herët, deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, tha se nuk është në interesin e Vetëvendosjes e as Qeverisë zbardhja e rastit të Astrit Deharit.
Sipas Berishës, Vetëvendosja i ka përdorur këto raste për qëllime politike.
“Këto ditë u riaktualizua rasti i vrasjes apo vetëvrasjes së Astrit Deharit. Zakonisht kjo qeveri dhe Vetëvendosja i ka përdor apo i përdor për qëllime politike, kjo tash është evidente. As pas ekspertizës së institucioneve zvicerane nuk ka ndonjë epilog apo vendim gjyqësor, çka vë në dyshim se kemi ndërhyrje direkte të politikës apo qeverisë në zbardhjen e këtij rasti apo mund të themi se interesi i politikës apo në këtë rast qeverisë është që ky rast të mos zbardhet”, tha Berisha.
Derisa Berisha fliste ministrja Haxhiu dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, filluan t’i godisnin tavolinat.
Reagoi edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca i cili i bëri thirrje Prokurorisë që ta intervistojë deputetin e PDK-së, nëse ky pretendon se di diçka më shumë për këtë rast.
“Edhe ju e dini mirë që përpjekja me lidhë VV-në me atë sulm ka qenë një proces i montuar gjyqësor me prapavijë politike. Ju keni vendim të Gjykatës që i ka liruar ata persona. Nëse dini diçka ma shumë unë e ftoj prokurorin me ju intervistu”, tha Konjufca.