Elvis Kabashi, i cili refuzoi të luajë me Shqipërinë U21, pret që t’i bashkohet skuadrës nga Lega Pro, Pontedera
Elvis Kabashi, i formuar në akademinë e Empolit përkrah Elseid Hysajt, në vitin 2012 bëri lëvizjen e karrierës, duke iu bashkuar Juventusit.
Asokohe, mesfushori e cilësoi veten një talent të jashtëzakonshëm dhe pasi luajti me kombëtaren U-19, i kërkoi FSHF-së që të mos e grumbullonin me U-21, pasi e ndjente veten italian dhe priste ftesën e Italisë.
Që nga ai moment, karriera e Kabashit nuk ka ecur ashtu siç e priste djaloshi. Huazimi te Pescara në Serinë B ishte një dështim, ashtu si edhe ai te Den Bosch në Holandë.
Gjërat shkuan pak më mirë në sezonin e kaluar, kur lojtari e pa veten të luante rregullisht me klubin e Pontedera, në Lega Pro të Italisë.
Sipas mediave italiane, futbollisti 22-vjeçar pret sot një tjetër ftesë nga Pontedera, ku do të kalojë përsëri si huazim nga Juventusi.