Jugkoreanët e përshkruajnë si “luftë” ndeshjen ndërmjet Koreve

Prishtinë | 18 Tet 2019 | 12:40 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesja e Koresë së Jugut e përshkroi ndeshjen eliminatore për botërorin “Katari 2022” ndaj Koresë së Veriut në Pyongyang si të “ashpër” dhe po shpreson që FIFA të marrë masa për një trajtim të tillë.

Ndeshja historike përfundoi pa gola të martën dhe u zhvillua në stadiumin gjigant “Kim Il Sung”, i cili ishte i zbrazët – pa shikues. Në këtë ndeshje ishin të ndaluara mediumet e huaja, ndërkohë nuk pati as transmetim. Ekspedita e Koresë së Jugut për herë të parë ka folur për kushtet e lojës, pasi të enjten u kthye në Seul nga ky udhëtim i vështirë, shkruan sot Koha Ditore.

“Kundërshtarët ishin shumë të ashpër dhe kishte momente kur gjuha e tyre ishte shumë fyese ndaj nesh. Ndeshja në Pyongyang ishte sikurse një luftë”, ka thënë sulmuesi dhe njëherësh kapiten i Koresë së Jugut, Son Heung-min. “Ishte vështirë të përqendroheshim në ndeshje, pasi synimi ynë ishte që të evitonim ndonjë lëndim të mundshëm për shkak të ashpërsisë së kundërshtarëve. Mund të them se është arritje e madhe për ne që jemi kthyer nga ndeshja pa lëndime”.

Në agresivitetin e lojtarëve të Koresë së Veriut janë ankuar edhe zyrtarët e Federatës së Futbollit të Koresë së Jugut (KFA), që pritet të dërgojnë ankesë në FIFA.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme