Organizata jo qeveritare gjermane, Die AnStifter i ka dhënë dje Çmimin e Paqes Stuttgart 2020 themeluesit të rrjetit WikiLeaks, Julian Assange, i cili ende mbahet në burgun e sigurisë së lartë Belmarsh në Angli.
Çmimi i paqes Stuttgart i jepet çdo vit njerëzve ose projekteve që janë më shumë të përkushtuara ndaj paqes, drejtësisë dhe solidaritetit.
Në vitin 2019 ky çmim iu dha organizates jo-fitimprurëse gjermane Sea-Watch, për shpëtimin e emigrantëve që tentonin të kalonin Mesdheun, kurse në 2014, çmimi iu dha denoncuesit të praktikave ilegale të inteligjencës amerikane, Edward Snowden.
Në argumentimin e dhënies së çmimit për Assange thuhej se është “një sinjal që e drejta për liri të pakushtëzuar informacioni dhe shtypi, është jo vetëm e mbrojtur por dhe e zbatuar”, shkruante drejtuesja e grupit Die AnStifter, Annette Ohme-Reinicke.
Çmimi do t’i jepet gazetarit nga Australia në dhjetor. Një total prej 26 njerëzish e institucionesh ishin nominuar për çmimin, por Assange mori 310 vota pro, i ndjekur nga grupi Reporterët Pa Kufij (258), dhe studio e qepjes Zic Zac (227).
Assange është burgosur në Belmarsh në pritje të ekstradimit drejt SHBA me akuza spiunazhi për publikimet në rrjetin e tij, me të cilat mund të dënohet mbi 100 vjet burg.