Junta ushtarake në Mali që mori pushtetin javën e kaluar ka rënë dakord të lirojë presidentin e përmbysur, Ibrahim Boubacar Keita, raportojnë mediat lokale.
Njoftimi u bë të dielën vonë gjatë një takimi midis Komitetit Kombëtar për Shpëtimin e Popullit (CNSP) dhe Komunitetit Ekonomik të Shteteve Afrikane të Perëndimit të udhëhequr nga ish-presidenti nigerian, Goodluck Jonathan.
CNSP, e cila e detyroi Keitan të hiqte dorë dhe shpërndau qeverinë dhe Asamblenë Kombëtare, siç transmeton AA, ra dakord që presidenti i përmbysur të kthehet në shtëpinë e tij ose të shkojë jashtë vendit për trajtim mjekësor në një vend të zgjedhur nga ai.
Junta po ashtu ka propozuar një periudhë kalimtare tre-vjeçare të udhëhequr nga ushtria para se të mbahen zgjedhjet për qeverisje civile.
“Kemi arritur shumë marrëveshje, por nuk kemi arritur konsensus për të gjitha çështjet”, u tha Jonathan gazetarëve të dielën.
“Diskutimet vazhdojnë. Ne kishim pika kompromisi për aspekte të caktuara dhe negociatat do të vazhdojnë”, tha kolonel-majori Ismael Wague, zëdhënës i CNSP.
Keita u tërhoq pasi ai dhe kryeministri Boubou Cisse u dërguan në një kamp ushtarak javën e kaluar.
Mali ishte tronditur nga protestat për disa muaj teksa demonstruesit kërkuan dorëheqjen e presidentit.
OKB-ja ka bërë thirrje që “rendi kushtetues dhe demokratik” të rivendoset sa më shpejt në vendin e Afrikës Perëndimore. Ajo po ashtu kërkoi lirimin e Keita-s dhe të arrestuarve të tjerë, “për të mbrojtur integritetin e tyre fizik si dhe anëtarët e familjeve të tyre”.