Juventusi humbi edhe dy futbollistë

Prishtinë | 18 Qer 2020 | 21:53 | Nga Ekonomia Online

Humbja në finalen e Kupës së Italisë ka lënë shije të hidhur në shtëpinë e Juventusit.

Bardhezinjtë kanë nisur përgatitjet sot për ndeshjen e radhës në kampionat, por lajmet nga infermieria nuk janë pozitive.

Testet diagnostikuese zbuluan një dëmtim të shkallës së parë të ligamentit kolateral medial për Alex Sandron dhe një dëmtim të pjesshëm të tendinës së muskulit aduktiv të kofshës së djathtë për Khediran.

Dy mungesa të rënda për Sarrin, i cili në funksion të rifillimit të Serisë A humbet akoma më shumë copa pas Chiellinit dhe Higuainit.

Kapiteni bardhezi dhe “Pipita” vazhdojnë punën e personalizuar dhe akoma nuk është e qartë nëse do të jenë në dispozicion për rifillimin e Serisë A.

Ndërkohë, rezultatet e provës për Alex Sandro dhe Khedira lënë pak vend për interpretim. Pas testeve diagnostikuese, braziliani filloi fizioterapinë, por do t’i duhen të paktën njëzet ditë për t’u rikthyer.

Gjermani, nga ana tjetër, do t’u nënshtrohet testeve të mëtejshme në ditët në vijim për të përcaktuar më mirë shkallën e dëmtimit dhe kohën e rikuperimit.

Të ngjashme