Ka filluar ndërtimi i urës së re mbi lumin Llap

Prishtinë | 28 Kor 2016 | 11:38 | Nga

Në kuadër të projekteve që po realizohen për ndërtimin dhe rregullimin e infrastrukturës në komunën e Podujevës, te Parku i Qytetit në Podujevë, ka filluar ndërtimi i urës së re mbi lumin Llap.

Për të përcjellë nga afër dinamikën e zhvillimit të punimeve në realizimin e këtij projekti, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka inspektuar sot punimet në ndërtimin e kësaj ure.

Kryetari Veliu e vlerësoi si shumë të rëndësishëm këtë projekt që bën pjesë në kuadër të projekteve të shumta në rregullimin e infrastrukturës në qytet.

“Projekti për ndërtimin e urës së re është i rëndësisë së veçantë. Përveç që zëvendëson një urë të vjetër dhe shumë të ngushtë, kjo urë do ta kompletojë pamjen e bukur të Parkut të Qytetit pas investimeve që kemi bërë më herët në rregullimin e parkut dhe të shtratit të lumit Llap”, tha kryetari Veliu

Kryetari Veliu kërkoi nga punë-kryerësi që punimet në ndërtimin e urës të kryhen sipas dinamikës dhe afateve të parapara.

Përfaqësuesi i kompanisë “Konstruktori”, e cila është duke i kryer punimet në ndërtimin e urës, u zotua se ndërtimi urës do të realizohet sipas projektit dhe dinamikës së paraparë me kontratë.

Ura do të ketë një gjerësi prej pesë metrash dhe do t’i ketë dy pushimore.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme