Grupi për Politika dhe Avokim Kosovë-Serbi dhe Grupi për Ballkan së bashku me Institutin I4PA organizuan punëtorinë “Përfitimet e Dialogut Teknik” në Vushtrri me pjesëmarrës nga shoqëria civile nga Mitrovica, Vushtrria dhe Obliqi, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada Norvegjeze në Prishtinë. Njëzet e dy përfaqësues nga OJQ-të lokale dhe publiku i gjerë nga tre komuna diskutuan për procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe përfitimet e marrëveshjeve të arritura gjatë procesit.
Dea Gecaj, Drejtoreshë Ekzekutive e Institutit I4PA gjatë fjalës hyrëse tha “me të drejtë mund të themi se në shtetet e sotme moderne dhe demokratike, përveç tre shtyllave të qeverisjes – legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit, mund të shtojmë dy shtylla të tjera të rëndësishme për avancimin dhe zhvillimin e atyre shoqërive – medias dhe shoqërisë civile. “
Fisnik Rexhepi, ekspert për procesin e dialogut, prezantoi procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që filloi në mars 2011, duke përshkruar sfidat për arritjen e marrëveshjeve dhe shtoi se “çka është e rëndësishme për këtë fazë është se ky dialog ka ofruar një perspektivë të re që ka dëshmuar se pavarësisht dallimeve, marrëveshjet janë të mundshme. Edhe në rastet kur palët nuk mund të pajtohen, ata nuk u tërhoqën nga negociatat.”
Z. Rexhepi gjithashtu theksoi rëndësinë e marrëveshjes për lirinë e lëvizjes si një nga marrëveshjet më të suksesshme, aishtoi se “me këtë marrëveshje qasja e diasporës kosovare që jeton në vendet e BE dhe veçanërisht në Gjermani, për në atdheun e tyre është shkurtuar për të paktën 400 KM “. Gjithashtu ai përmendi se pas marrëveshjes, serbët e Kosovës filluan të aplikojnë për kartat e identitetit të Kosovës. Ndërsa,edhe pse disa nga marrëveshjet nuk arritën implementimin e plotë “situata tani është shumë më e mirë se sa ishte përpara marrëveshjeve”
Nga ana tjetër, pjesëmarrësit ngritën çështjene transparencës dhe informimit publik gjatë procesit të dialogut dhe procesit të zbatimit të marrëveshjeve. Shumica e publikut u informua përmes mediave, ata theksuan rolin e medias në angazhimin e shoqërisë për të marrë pjesë më shumë në procesin e dialogut. Besmir Ahmeti nga OJQ Hareja nga Vushtria shtoi se “ka mospërputhje në raportimin nga mediat në Kosovë dhe mediat në Serbi për procesin e dialogut, kjo krijon konfuzion në opinionin publik”. I gjithë procesi nuk ishte imun ndaj trendeve globale të lajmeve të rrejshme dhe karremave për klikime (ClickBait)në media sociale, ku një numr i konsiderueshëm i opinionit publik, veçanërisht i të rinjtë, kanë kontaktin e parë me lajmet.
Punëtoria është pjesë e aktiviteteve të projektit “Komunikimi, diskutimi dhe promovimi i dialogut”. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë.
Grupi për Politika dhe Avokim Kosovë – Serbi u themelua në fillim të vitit 2018, si një mjet për të sfiduar narrativat në nivel shoqëror dhe t’i ndihmojë politikë bërësit të arrijnë marrëveshje në mënyrë më transparente. Konsorciumi është i përberë nga 8 OJQ me vizion të njëjtë: Grupi për Hulumtim të Politikave në Ballkan, Instituti Demokratik për Zhvillim (D4D), Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë dhe OJQ AKTIV nga Kosova, si dhe Fondi i Beogradit për Ekselencë të Politikave (BFPE), Qendra e Beogradit për Politika të Sigurisë (BCSP), Lëvizja Evropiane në Serbi (EMinS) dhe Komiteti i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut (YUCOM) nga Serbia.
Kjo punëtori është organizuar me asistencë të Bashkimit Evropian. Përmbajtja është përgjegjësi e vetme e Grupit për Politika dhe Avokim Kosove-Serbi dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian.