Ka vdekur profesori i sociologjisë, Ismail Hasani. Lajmin e kanë bërë të ditur familjarët e tij, teksa gjurmët e tij në rrugën akademike e publicistike të vendit do të mbeten të pashlyeshme.
Hasani ka qenë bashkëpunëtor i kahmotshëm i Radiotelevizionit të Kosovës, duke pasuruar skemën programore të transmetuesit publik ndër vite me pjesëmarrje në emisione të ndryshme.
Për vdekjen e profesorit të Universitetit të Prishtinës ka reaguar edhe vet institucioni, duke thënë se kolegët e Fakultetit Filozofik ndajnë kujtimet më të mira për të, rtk.
“Ka një mori botimesh, në mesin e të cilave dy libra që i përkasin fushës së raportit mes religjionit dhe identitetit kombëtar, në të cilat analizon raportet ndërmjet nacionales dhe religjiozes tek shqiptarët. Po ashtu ka një mori artikujsh shkencorë në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja”, thuhet në postimin përkujtues të UP-së.
Edhe kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, ka shprehur ngushëllimet e tij ndaj familjes në emër të qytetit.
“Bashkëqytetari ynë, profesori Hasani do të mbahet mend për përkushtimin dhe punën e palodhshme në përgatitjen e shumë gjeneratave të studentëve. Veprimtaria akademike e tij do jetë frymëzim për brezat e ardhshëm”, ka shkruar Aliu në Facebook.
Krahas punës në Universitetin e Prishtinës, i ndjeri ishte angazhuar edhe në Universitetin e Stavangerit në Norvegji dhe si bashkëpunëtor i jashtëm në Institutin për Studimin e Raporteve Ndëretnike në Universitetin “Leiden” në Holandë.