Njëzëri është votuar vendimi për inicimin e procedurave për themelimin e teatrit të Kaçanikut, por vetëm katër ditë pas kësaj është bërë e ditur se sivjet s’ka buxhet për këtë institucion të ri kulturor.
Në mbledhjen e së premtes së kaluar, Kuvendi Komunal i këtij qyteti, siç shkruhet në faqen zyrtare të tij, “propozim-vendimin për inicimin e procedurave për themelimin e teatrit të qytetit e mirëpriti dhe u votua njëzëri”, shkruan sot Koha Ditore.
Në muajin shkurt, një grup i përbërë nga disa artistë e studentë të artit dramatik nga Kaçaniku dhe rrethina u kishte kërkuar autoriteteve komunale themelimin e teatrit të qytetit. Autoritetet i janë përgjigjur kërkesës duke u dhënë dritën e gjelbër procedurave, por jo edhe me mbështetje financiare. Këtë nuk do të mundë ta bëjnë as me rishikim të buxhetit në qershor. Megjithatë, janë paralajmëruar hapat e mëtejmë.