Prishtinë, 7 shkurt – Tashmë është bërë një vit prejse është bërë kërkesa që qyteti i Kaçanikut të ketë teatër. E në fund të marsit Komuna kishte iniciuar procedurat për themelimin e këtij institucioni. Por pavarësisht kësaj, ende nuk është bërë asnjë hap konkret për themelimin e funksionalizimin e teatrit të qytetit. Madje edhe nëse të gjitha procedurat ligjore përfundojnë shumë shpejt, Komuna sivjet nuk ka buxhet për funksionalizmin e teatrit.
Aktualisht Ministria e Kulturës dhe Komuna e Kaçanikut akuzojnë njëra-tjetrën për mosbashkëpunim. E iniciuesit e themelimit të teatrit krejt këtë e shohin si mospunë e pavullnet për ta konkretizuar nismën.
Në mars të vitit të kaluar asamblistët e Kuvendit Komunal të Kaçanikut njëzëri kishin votuar vendimin për inicimin e procedurave për themelimin e teatrit të Kaçanikut. E paraprakisht në shkurt një grup i përbërë nga disa artistë e studentë të artit dramatik nga Kaçaniku dhe rrethina u kishte kërkuar autoriteteve komunale themelimin e teatrit të qytetit. Autoritetet i janë përgjigjur kërkesës duke ua dhënë dritën e gjelbër procedurave, por jo edhe me mbështetje financiare.
Qyteti në juglindje të vendit, që numëron mbi 30 mijë banorë me gjithë rrethinë, nuk ka pasur kurrë teatër.