Kadaj – Bujupi i reagon Hotit: Është njeriu i fundit në Kosovë që mund të flasë për moral politik, nënshtrohej para Vuçiqit

Prishtinë | 11 Nën 2025 | 15:00 | Nga Ekonomia Online

Këshilltarja e Presidentes Vjosa Osmani, Donika Kadaj – Bujupi i ka reaguar ish-kryeministrit Avdullah Hoti pasi ky i fundit e konsideroi për keqardhje deklaratë n e të parës së shtetit në lidhje me çështjet që presin për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës.

Kadaj – Bujupi ka thanë se Hoti është njeriu i fundit që mund të flasë për moral politik, e duke e akuzuar edhe për atë se kur ishte kryeministër nënshtrohej para Vuçiqit.

“Avdullah Hoti është njeriu i fundit në Kosovë që mund të flasë për moral politik. I bërë kryeministër nëpërmjet shkeljes e keqpërdorimit të vullnetit qytetar, pa vota të tij, në mënyrë krejtësisht kundërkushtetuese, e duke u nënshtruar para Vuçiqit për ata pak muaj sa ishte kryeministër; modeli i tij i politikbërjes është shembulli më i keq që qytetarët shumë moti e kanë kuptuar se nuk duhet ta ndjekin. Edhe sot paska tentuar të mashtrojë sërish”, ka shkruar ajo.

Ajo e ka sqaruar edhe pjesën se si mund të bëhet zgjidhja për buxhetin e RTK-së dhe Planin e Rritjes, për të cilën foli në një deklarim për media e para e vendit.

“Sa i përket deklaratës së Presidentes sot, ajo ka qenë e qartë se votimi i zgjatjeve buxhetore, Planit të Rritjes, buxhetit të RTK-së, qindra miliona të Bankës Botërore, etj., janë çështje në vullnet të partive politike të përfaqësuara në Kuvend. Pra, në vullnet të të gjitha partive, e jo vetëm njërës  apo tjetrës. Presidentja ka propozuar që, meqë partitë opozitare nuk janë dakord që këto vendime e ligje të procedohen në Kuvend nga Qeveria në detyrë, kjo të bëhet nga Presidentja (brenda kompetencave kushtetuese) dhe nga vetë deputetët (përsëri brenda suazave kushtetuese). Kjo gjë jo vetëm që lejohet, por është e parashikuar në mënyrë taksative në Kushtetutë dhe në ligjet në fuqi.  Pra, mundësia për të kaluar edhe Planin e Rritjes, edhe zgjatjet buxhetore, edhe marrëveshjet me Bankën Botërore, edhe buxhetin e RTK-së dhe shumë vendime të tjera ekziston. Por, ekzistojnë edhe njerëz si Hoti që i gënjejnë qytetarët pa pikë turpi, sepse në asnjë moment nuk mendojnë se moskalimi i këtyre vendimeve mund t’i humbë Kosovës mbi 1 miliard euro, dhe në mungesë të buxhetit mund t’i lë mijëra familje pa paga, pa ushqim, pa barna të nevojshme, e pa institucione funksionale”, shkruan Kadaj-Bujupi.

Por gjitha këto sipas saj nuk janë në interes të Hotit meqenëse ai qëllim ka ta sulmojë presidenten.

“Hotit, natyrisht, kjo s’i intereson ashtu si nuk i ka interesuar kurrë. Prioritet e ka të sulmojë Presidenten. Njësoj si atëherë kur thoshte se “Vjosa Osmani do të marrë zero vota” 😃”, shkruan ajo.

“Presion pozitiv mbi partitë politike”, Hoti i reagon Osmani: Po renditet krahas aleatit të saj në fushatën e presionit publik

Ish-kryeministri, tani deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti e ka konsideruar për keqardhje deklaratën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në lidhje me çështjet që presin për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës.

“Deklarimi i sotëm i të parës së shtetit lidhur me çështjet që presin për shqyrtim në Kuvendin e Kosovës është për keqardhje. Ajo e di se për tu shqyrtuar ato çështje në Kuvendin e Kosovës duhet detyrimisht të kryhen disa veprime kushtetuese që lidhen me formimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet”, ka shkruar Hoti.

Hoti ka thënë se Osmani i është bashkuar aleatit të saj në fushatën e presionit publik ndaj partive politike.

“Duke qenë se e di këtë, që është e kuptueshme për secilin, ajo po renditet krahas aleatit të saj në fushatën e presionit publik ndaj partive politike. Bile i fton edhe mediat që të bëjnë presion tek partitë politike. Ajo po i bashkohet kësaj fushate që është në funksion të ndërtimit të narrativave mashtruese për zgjedhjet e reja. Asgjë e re në këtë drejtim, kështu ka vepruar gjatë gjithë mandatit. Në anën tjetër, ajo e ka aktgjykimin e Gjykatës Supreme që e thotë qartë se anëtarët e qeverisë të betuar si deputetë janë duke mbajtur postet qeveritare në mënyrë joligjore. Për këtë nuk e thotë asnjë fjalë, edhe pse Kushtetuta e Kosovës e detyron të sigurojë funksionim kushtetues të institucioneve. Kaq për moralin politik të saj. Mjerim”, ka shkruar Hoti.

Osmani flet për mandatarin për kryeministër, tregon edhe zgjidhjen që dha për RTK-në e që s’mori përgjigje


Osmani para mediave ka thënë se ajo është e gatshme të ofrojë edhe zgjidhjen në lidhje me pagat e punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës, por që nuk ka marrë asnjë përgjigje nga partitë politike për  një gatishmëri të tillë, e pa çka u kërkoi gazetarëve që të bëhet një “presion pozitiv” partive politike, që të paktën të bëjnë diçka që është në interesin qytetarëve por edhe të shtetit.

“Siç e dini, i mandatuari i dytë për kryeministër akoma është brenda afatit kushtetues dhe do të varet nga deputetët dhe nga kryesia e Kuvendit se kur ftohet seanca. Siç e dini, seanca duhet të thirret brenda afatit kushtetues, pra kanë mbetur edhe pak ditë dhe shpresoj që kjo të bëhet sa më parë të jetë e mundur dhe të shohim rezultatin e kësaj seance. Mirëpo unë nuk mund ta paragjykoj”, tha Osmani pasi mori pjesë në Forumin “Nga Rezoluta në Veprim: 25 vjet që Gratë Transformojnë Paqen dhe Sigurinë në Kosovë”.

Ajo ka treguar edhe zgjidhjen për RTK-në, punëtorët e së cilës nuk kanë marrë pagë.

“Si presidente e vendit tashmë e dini të gjithë ju në RTK që këtë çështje e kam ngritur në takim me liderët politikë, si në takimin e përbashkët, ashtu edhe në takime të ndara. Kam shprehur gatishmërinë e plotë që, në rast se partitë opozitare nuk dëshirojnë ta pranojnë një nismë legjislative të nisur nga ana e qeverisë, atëherë këtë mund ta bëj unë, mirëpo duhet të shprehet gatishmëri nga ana e partive që diçka e tillë të votohet në Kuvend. Mirëpo deri më tani nuk kam përgjigje nëse ka gatishmëri nga partitë që kanë përfaqësim në Kuvendin e Kosovës të votojnë. Mendoj që është e domosdoshme, e lehtë të kalohet një vendim i tillë. Pra, gatishmërinë e kam që qysh nesër të dërgojmë kërkesën në Kuvend. Këto janë çështje që janë të zgjidhshme, mund të zgjidhet edhe brenda Kuvendit me iniciativë të vetë deputetëve, pra ka mundësi të zgjidhet kjo çështje, mirëpo nuk kam përgjigje. Përveç pagave në RTK, e kam ngritur edhe çështjen e Planit të Rritjes që është mbi 800 milionë euro. Çështjen e marrëveshjes me Bankën Botërore, ku në fund të dhjetorit janë një milion euro, por janë edhe mbi 200 milionë të tjera në fillim të vitit që mund të humben nëse nuk ratifikohen. Pra, po flasim për mbi 1 miliard euro që janë diku 1/4 e buxhetit të Kosovës e që nuk do të duhej t’i humbiste, por do të duhej t’i përfitonte”, theksoi Osmani.

E para e shteti pret të ketë një refletkim të partive politike, pa cka tha se duhet të marrin veprime të cilat janë në interes të shtetit dhe qytetarit.

“Pres reflektim nga partitë politike, ne gjithçka kemi gati si dokumentacion. Krejt çka duhet është vullneti i partive politike. Ju inkurajoj edhe juve si media që vazhdimisht të bëni presion pozitiv, po e quaj kështu, partive politike që këto vendime të merren nga ky Kuvend dhe përfaqësuesit e këtij Kuvendi që janë votuar më 9 shkurt të këtij viti, por akoma s’kanë vendosur asgjë. Të vendosin diçka në interes të qytetarëve, sepse shkon ky vit, së paku disa vendime që janë në interes të qytetarëve dhe shtetit”, theksoi Osmani.

Të ngjashme