Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se Demarkacioni në këtë formë siç është tani nuk është në rregull dhe Kosova humb tokë, prandaj assesi nuk do të lejojnë që të ratifikohet marrëveshja me Malin e Zi.
Kadaj-Bujupi, duke iu përgjigjur kritikave të Qeverisë, se opozita po bllokon procesin e liberalizimit të vizave pohoi se “në fund të fundit ne nuk japim territor për viza”.
“Të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë e dinë që Kosova do të humbë tokë me këtë formë të Demarkacionit”.
Ish-deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se nëse përdoret metoda e njëjtë e shënjimit të vijëz kufitare edhe me Serbinë si me Malin e Zi atëherë Kosova do të copëtohet edhe më.
“Nëse përdoret kadastra edhe me Serbinë do të ketë edhe një copëzim edhe më të madh se ky me Malin e Zi, sepse siç e dimë pretendimet e Serbisë janë edhe më të mëdha”.
Kadaj-Bujupi ka folur edhe për përgjimet e fundit që portali Insajderi.com ka publikuar, ku dëgjohet shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës duke biseduar me Presidentin, Hashim Thaçi dhe me kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin, dhe shumë zyrtarë të tjerë.
“Ky grupim politik dhe mënyra mafioze përmes të cilave po vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet, nuk kanë kredibilitet të zbatojnë projekte të cilat i humbin Kosovës tokë. Ky shtet nuk udhëhiqet nga politikanë, por nga mafiozë. Janë servilë dhe të nënshtruar ndajë bashkësisë ndërkombëtare dhe ndajë atyre që i shantazhojnë dhe nënshtrojnë”, ka thënë Kadaj-Bujupi.
“Këta nuk kanë vetëm mendje kriminale, por e kanë kapur pushtetin dhe po kontrollojnë gjithçka, tenderët, ministrit, kompanitë, punësimin madje edhe ajrin po provojnë ta kontrollojnë”.