Një çështje e hapur në kufi mund të shihet si mundësi konflikti dhe për këtë fajtor është qeveria e vendit. Kështu e ka përforcuar deputetja e Vetëvendosjes, Donika-Kadaj-Bujupi, deklaratën e deputetit Albin Kurtit, se në 4-5 vitet e ardhshme ka gjasa të ketë përsëri luftë në Kosovë. Kadaj-Bujupi, në një intervistë për emisionin Info Box të RTV Dukagjini, ka thënë se duhet evituar konfliktet eventuale nga gabimet politike.
Duke komentuar referendumin në Republikën Serbe në Bosnje Hercegovinë, ajo ka thënë se Kosova nuk duhet të jetë pjesë e një tensioni ne rajon, duke marrë vendime të gabuara. Sipas saj, pasojat e Republikës Serbe të cilat po i vuan Bosnja pas 20 viteve, do të mund t’i vuajë edhe Kosova pas 10 viteve me krijimin e Asociacionit.
“Nëse dy marrëveshjet do të kthehen në Kuvend, ajo e Asociacionit dhe e Demarkacionit me Malin e Zi, Vetëvendosje do të vazhdojë kundërshtimin e saj me të gjitha format”, ka thënë Kadaj-Bujupi.
Sipas saj, sa i përket Demarkacionit gjithçka duhet filluar nga pika zero, ndërsa për Asociacioni është shprehur e bindur se nuk do të krijohet, sepse ai është një dem i madh të cilin do ta vuajnë qytetarët e Kosovës.