Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, thotë se taksa e vënë ndaj Serbisë, është përgjigja më e duhur në raport me Serbinë që prej kohës kur u shpallë Pavarësia e Kosovës, dhe si e tillë, s’do të hiqet derisa Serbia ta njohë Kosovën.
Kadaj-Bujupi në Intervistën e Javës në Koha.net, thotë se taksa ka një përkrahje të jashtëzakonshme nga qytetarët e Kosovës, që sipas saj, e kanë kuptuar që sovraniteti dhe konsolidimi i Kosovës nga brenda, duhet të ndodhë vazhdimisht.
“Personalisht, konsideroj se taksa madje është e pamjaftueshme në raport me veprimet e Serbisë dhe Kosova duhet të ushtrojë reciprocitet të plotë deri në embargo, me secilin vend madje, që është kaq destruktiv dhe vazhdon me politika dëmtuese ndaj vendit tonë”, tha Kadaj-Bujupi.
Deputetja e AAK-së, tha se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë ta mbajë taksën derisa Serbia të reflektojë.
“Nëse Serbia nuk reflekton, taksa duhet të mbetet”, tha ajo.
Kur ka folur për takimet e këtyre ditëve të krerëve shtetërorë me zyrtarë të lartë amerikanë, Kadaj-Bujupi tha se s’ka pasur ndonjë qëndrim zyrtar, por, sipas saj, kanë folur burime anonime, dhe thotë se raportet me SHBA-në asnjëherë s’do të rrezikohen.
“Raportet me SHBA-në asnjëherë s’do të rrezikohen nga një taksë e cila i është vënë Serbisë, dhe jo dikujt tjetër. Taksa është kundërpërgjigje ndaj Serbisë jo të tjerëve”, u shpreh ajo.
Nga taksa e vënë, ajo tha se qëllimi nuk ka qenë që të ngecë dialogu.
“Ne jemi pro dialogut, por jemi pro dialogut pa kushte. Përndryshe Kosova ka mjaft hapësirë t’i vë kushte Serbisë po të donim të bëheshim destruktiv. Këtë nuk e kemi bërë në të kaluarën e s’do ta bëjmë as në të ardhmen, por s’do të lejojmë që dikush të na vë kushte”, tha ajo.
Ani pse presidenti Hashim Thaçi duket se ka ndryshuar qëndrimet e tij në deklaratat për shkëmbim territoresh, Kadaj-Bujupi, idetë e tij i ka quajtur ‘të çmendura’.
“Ajo ide e çmendur do të sillte konflikte të reja në Ballkan, dhe jo vetëm. Do të kundërshtohet çfarëdo ideje që prek sovranitetin e Kosovës”, tha ajo.
Kur ka folur për përplasjet mes partnerëve në koalicionin qeverisës, tha se “sigurisht që ata që janë të fortë do të qëndrojnë përballë çfarëdo presioni, për shkak se ne jemi në të drejtën tonë. Ndërkaq, ata që dorëzohen do të marrin përgjegjësi para qytetarëve”.
“Liderët shquhen që të qëndrojnë në kohë të vështira, kryeministri Haradinaj pikërisht po e bënë këtë dhe po përballet edhe me presione të brendshme në koalicion”, tha tutje.
Gjatë muajit shkurt të këtij viti, kujtojmë se janë bërë një vit që nga marrëveshja për korrigjimin e kufirit me Malin e Zi, por korrigjimi ende s’ka ndodhur.
Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, tha beson se, Komisionit të cilit tashmë i janë ndarë mjetet për punë, do të fillojë punën shpejt dhe do ta mundësojë korrigjimin e këtij kufiri.
“Edhe kjo marrëveshje e dëmshme, demarkacioni me Malin e Zi, ka ardhë pasi kemi pasur nënshkrime në mënyrë jo transparente, nga Hashim Thaçi e Isa Mustafa atë kohë, të cilët kur ne ishim në pushim na anashkaluan si Kuvend e shkuan nënshkruan këtë marrëveshje. Nga informacionet që kemi nga kryeministri Haradinaj dhe Komisioni, ka filluar angazhimi për korrigjim”, u shpreh ajo.
Kujtojmë se kohët e fundit është rritur numri i të punësuarve politik e familjarëve në Telekomin e Kosovës.
Naser Bujupi, bashkëshorti i Donika Kadaj-Bujupit, gjithashtu është punësuar gjatë fundit të 2018-ës në këtë ndërmarrje, por ende s’dihet se si.
Kadaj-Bujupi, nuk ka dashur të flasë shumë për këto punësime, ndërsa kur ka folur për burrin e saj, ka thënë se “ai është jurist dhe ka qenë i papunë që 20 vite”.
“Ajo çka mund të them është se burri im është jurist dhe ka qenë i papunë që 20 vite, e kjo asnjëherë s’u trajtua në media. E pse është burri im, nuk është e ndaluar që ta ketë një vend pune”, tha Kadaj-Bujupi.