Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës, deputetja Donika Kadaj-Bujupi tha se Kuvendi sot duhet të dalë me një rekomandim kyç për masën prej 100% ndaj shtetit të Serbisë dhe të kërkohet ndërprerja e dialogut derisa Serbia të reflektojë dhe të ndalojë veprimet ndaj Kosovës.
“Taksa prej 100% do duhej të kishte përkrahjen e politikës së brendshme. Kuvendi duhej të dilte me rekomandim kyç të përkrahim fuqishëm vendimin e qeverisë për taksën prej 100% ndaj Serbisë, nëse pajtohemi të gjithë kjo është një temë proklamues i një kauze dhe nuk po përshëndetet vendimi prej 100% nga deputetët këtu”, tha Kadaj-Bujupi.
Kadaj-Bujupi tha se Kosovës po i vjen era shtet pas vendimit të marrë nga qeveria për taksën ndaj Serbisë dhe vendimi për projektligjet për ushtrinë, raporton Ekonomia Online.
Ajo tha se nëse mbahen zgjedhjet e reja, Projektligji për ushtrinë do të kthehet nga fillimi.
“Kosovës po i vjen era shtet pas vendimeve të fundit të marra, projektligji për ushtrinë, shkuarja në zgjedhje të reja në këtë moment e kthen projektligjin e ushtrisë në pikën 0. Nëse jeni kundër këtyre vendimeve, atëherë e vazhdojmë debatin deri në mbrëmje”, tha ajo.