KADC: Veturat e vjetra kërcënim serioz për shëndetin e qytetarëve

Prishtinë | 19 Tet 2018 | 08:16 | Nga Ekonomia Online

Vendimi i Komisionit për Zhvillim Ekonomik që të lejohet importi i veturave të vjetra deri në 15 vjet ka nxitur reagim edhe të Qendrës Kosovare për Avokim dhe Zhvillim (KADC).

Sipas saj, është zhgënjyes dhe dëshpërues fakti se ky komision përkundër dëshmive shkencore të shumta mbi rreziqet që shkaktojnë shkarkimet nga automjetet e vjetruara, me gjithë përpjekjet e politikave në Evropë dhe në botë, dhe në kundërshtim me rezolutat dhe strategjitë mjedisore të miratuara nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit, merr vendim për të bërë pikërisht të kundërtën, shkruan sot Koha Ditore.

Ditë më parë Komisioni për Zhvillim Ekonomik ka votuar pro amendamentit i cili parasheh lejimin e importit të automjeteve të vjetra deri në 15 vjet. Por ky amendament nuk është përkrahur nga Komisioni për Integrime Evropiane e as nga ai për Buxhet dhe Financa. Kjo ka ndodhur edhe shkaku i reagimit të Zyrës së Bashkimit Evropian dhe Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë, të cilat janë shprehur kundër këtij amendamenti.

Organizata KADC në një analizë të saj publikuar të enjten ka bërë të ditur se nëse miratohet një politikë e tillë do të rezultojë me kërcënim serioz për shëndetin e qytetarëve dhe ndotje të rëndë të ajrit, sidomos në mjediset urbane. Kjo do të mundësojë importimin e veturave me standardin evropian Euro 3 të shkarkimit që në vendet e BE-së është tejkaluar qysh para 13 vjetëve, që nga viti 2005.

Të ngjashme