Kadiu ka shpërndarë deklaratën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili në takim me presidentin e etnitetit serb të Bosnjës, Millorad Dodik dhe udhëheqësin e Kishë Ortodokse Serbe, ka deklaruar se Serbia nuk do ta njohë Pavarësinë e Kosovës asnjëherë.
Këshilltari i Bislimit ka pyetur se pse ta ruash integritetin territorial e sovranitetin është “gabim për Kosovën, e jo për Serbinë”.
“Edhe pse e mohon të kaluarën, presidenti i Serbisë po ia mbivendos asaj pikërisht kthimin në të kaluarën. Në leksikun e rrezikshëm të tij të artikuluar krah për krah me udhëheqësin shpirtëror të kishës ortodokse dhe aleatin e të tij më të rëndësishëm në Ballkan, Dodik, natyrisht që thelbësor do ishte dhe qëndrimi i stërthënë i tij: “Serbia asnjëherë nuk do ta njohë Kosovën e pavarur”. Natyrshëm, lind pyetja se: çfarë po bën Kosova në këtë mes, sa të njihet me penalizime e bllokime të vazhdueshme nga vetë aleatët e saj, ndërkohë që Serbia mëton e lirë në orbitën e politikave të saj destruktive pa u ndëshkuar ndonjëherë? Në këtë përballje, në vazhdimësi shohim se të ruash kushtetutshmërinë, integritetin territorial e sovranitetin, e të marrësh vendime sovrane, na qenka gabim për Kosovën, por jo për Serbinë”, ka shkruar Kadiu në Facebook të shtunën.
Kadiu ka thënë se “veprimet e gabuara” të Kosovës janë në shërbime të ruajtjes së shtetësisë, ndërsa ka përmendur një varg “vendimesh të mira” të Serbisë.
“Po nëse këto “vendime të gabuara” të Kosovës janë në shërbim të forcimit të njohjes ndërkombëtare e të shtetësisë dhe të ruajtjes së shtetit të saj nga një agresor në kufirin verior, “vendimet e mira” të Serbisë janë: përqafimi i kufirit me Kosovën me forca ushtarake, bllokimi i proceseve integruese euro-atlantike të Kosovës, shkeljet e marrëveshjeve të Brukselit, nxitjet e tensioneve në veri, rrëmbimi i zyrtarëve policorë, agresioni paramilitar në Banjskë, destabilizimi e ndërhyrjet në Bosnjë si dhe Mal të Zi, mosndëshkimi i agresionit rus ndaj Ukrainës, marrëveshjet e bashkëpunimit me Rusinë dhe Kinën, blerja e tejskajshme e armatimit, emërimi i të sanksionuarve nga Departamenti i Shtetit amerikan në poste të larta ekzekutive, shtypja e zërave të lirë së brendshmi, vjedhja e zgjedhjeve, të gjitha këto, qenkan për t’u anashkaluar e kaluar pa ndëshkuar”, ka shkruar tutje ai.
Kadiu ka thënë se pavarësisht të gjithave, në fund po ndëshkohet Kosova, e “është ajo që duhet gjithnjë të tregojë se sa konstruktive është e të bëjë hapin e parë”. Por thotë se mbetet mister se kur do t’i kërkohet Serbisë ta bëjë hapin e parë konstruktiv.
“Harrohet se vija ndarëse mes së keqes dhe të mirës, të qenurit në anën e drejtë apo atë të gabuar, venitet atëherë kur çdo indikacion të lë të kuptosh që ka në fakt vetëm një orientim të të gjitha këtyre vendimeve e sjelljeve. Në rastin e Serbisë, siç e dëshmuam më lart, nuk ka valëvitje të saj mes të keqes dhe të mirës, apo të drejtës e të gabuarës. Në konstelacionin e ri gjeopolitik që po ndërtohet, është po e njëjta e vjetra Serbi. Se kur do t’i kërkohet ndonjëherë Serbisë ta bëjë ajo hapin e parë konstruktiv, kjo mbetet mister. Ndoshta jo edhe aq, sepse vetëm ata që nuk duan të shohin e dëgjojnë, mund të presin diçka nga dikush që ripërsërit të njëjtin refren: ‘Serbia asnjëherë nuk do ta njohë Kosovën e pavarur’”, ka shkruar Kadiu.
Siç thotë Kadiu, duhet bërë çmos që gabimet e së shkuarës të mos riaktualizohen.
“Epo normalizimi i marrëdhënieve, nuk mund të jetë kurrsesi normalizim i kthimit të Serbisë në Kosovë. Marrëdhënie ka mes shtetesh. Nuk mund të ketë marrëdhënie mes shtypësit e të shtypurit. As nuk mund të bëhet kompromis që çon drejt nënshtrimit e kthimit prapa në kohë. Historia ka gjithmonë potencial përsëritës andaj dhe duhet bërë çmos që gabimet e së shkuarës, të mos riaktualizohen në të tashmen. Duhet të ketë mirënjohje, dhe jo penalizim e ndëshkim, prej të qenurit demokratik e progresist”, përfundoi shkrimi i këshilltarit për media të Bislimit.
Kosova të premten s’arriti të futej në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit Evropian (KiE) për anëtarësim në këtë organizatë. Kosova u kushtëzua me “hapa konkretë” për Asociacionin në mënyrë që t’i garantohet anëtarësimi në KiE. Qeveria e Kosovës në momentet e fundit u përpjek të bënte një hap përpara, përmes një letre të ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së. Por s’pati sukses.