Kadri Rahimaj e pranon fajsinë, mund të dënohet me burg nga 1-5 vjet

Prishtinë | 18 Pri 2022 | 13:53 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, si dhe tre të akuzuarit tjerë Shahin Maliqi, Besim Ismajlaj dhe Feim Maliqi, kanë paraqitur kërkesa për negocim në Prokurorinë Themelore në Gjilan për të hyrë në marrëveshje mbi pranimin e fajësisë, për rastin ku ata po akuzohen se në tetor të 2020-ës, në Kamenicë, përballë shkollave të mesme, kanë penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Një gjë të tillë për “Betimi për Drejtësi”, e kanë konfirmuar mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Ilir Rashiti, Refik Basha, Selmon Sadiku dhe Lulzim Canaj.

Mbrojtësi i kryetarit Rahimaj, avokati Ilir Rashiti, për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se e ka dorëzuar kërkesën në fjalë për klientin e tij në prokurori dhe se tashmë ata po presin një përgjigje nga prokuroria.

“Ma herët e kemi bo kërkesën, tash ta kqyrim çka na thotë prokuroria”, ka deklaruar avokati Rashiti.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Besim Ismajlaj, avokati Lulzim Canaj, ka thënë se para një jave e ka dorëzuar një kërkesë të tillë në prokurori.

“Po, para një jave e kemi dorëzu kërkesën për negocim për mundësinë e hyrjes në marrëveshje me prokurorinë për pranimin e fajësisë”, ka thënë avokati Canaj.

Ndërkaq, ata përmes mbrojtësve të tyre përkatës kishin bërë kërkesa për hudhje të aktakuzës, të cilat kërkesa i kishte refuzuar Gjykata e Kamenicës.

Kurse, ankesë kundër këtij vendimi të Themelores kishte bërë i akuzuari Besim Ismajlaj përmes mbrojtësit të tij, avokatit Granit Mavriqi, të cilën ankesë e kishte refuzuar Gjyakata e Apelit.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 12 tetor 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj Kadri Rahimaj, Shahin Maliqi, Besim Ismajlaj dhe Feim Maliqi, me arsyetimin se ata më 5 tetor 2020, në Kamenicë, përballë shkollave të mesme, kanë penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Sipas prokurorisë, si pasojë e pakënaqësisë së reformave në arsim, kanë organizuar një protestë të paparalajmëruar, ku e kishin bllokuar rrugën duke i vënë fëmijët përpara dhe pas tentimit nga policia për ta liruar atë, të njëjtit kanë kapur fëmijët e tyre duke i detyruar që të dalin para veturave të policisë, të hypnin mbi këto vetura dhe tërë kohën kanë goditur me duar në njërën veturë policore.

Tutje në aktakuzë thuhet se, të akuzuarit për një kohë të gjatë kanë bllokuar këtë veturë, pastaj gjithnjë duke i nxitur fëmijët kanë arritur para objektit të komunës ku kanë shtyer ata që të futen në këtë objekt duke e hapur me forcë portën dhe duke i futur disa fëmijë brenda rrethojave të objektit si dhe përmbi rrethoja derisa kanë arritur që t’i fusnin të gjithë fëmijët brenda objektit të komunës.

Me këtë, Kadri Rahimaj, Shahin Maliqi, Besim Ismajlaj dhe Feim Maliqi po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, nga neni 401, paragrafi 5 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej një deri në pesë vjet.

Të ngjashme