Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka bashkëbiseduar dhe ka dëgjuar gratë sipërmarrëse gjatë turit të tij të dëgjimit në Suharekë.
Ardiana Kukaj, e cila ka një sipërmarrje të rrobaqepësisë, ka kërkuar mbështetje më të madhe institucionale për rritjen e kapaciteteve prodhuese.
“Neve si rrobaqepëse që jemi, me na mundësu pak a shumë, tregtinë e eksportit. Pse për shembull Turqia me sjell fustana këtu me shitë. Pse kur ne si Kosovë mundësitë i kemi, materiale ka, edhe makinat i kemi, në këto kushte që janë dhe mund të punojmë vetë. Pra kisha kërkuar nga Qeveria që me na rregullu mënyrën e eksportit, që edhe ne si Kosovë me pasë mundësi me dërgu fustana jashtë, në Turqi, Gjermani, Zvicër, e jo vetëm ata me shitë tek ne”, ka thënë Kukaj.
Ndërsa sipërmarrësja Vahide Ndrecaj tha se po të kishte mbështetje më të madhe, ajo do të kishte mundësi që ta rriste prodhimtarinë dhe do të punësonte më shumë gra në biznesin e saj.
“Kushtet familjare nuk na lejojnë për ta zgjeruar biznesin më tutje. Tash me pasë mundësi me ndihmu me ndonjë grant, ose më të holla ose me teknikë me na ndihmu, që me zgjeru biznesin”, tha Ndrecaj.
Pasi bashkëbisedoi dhe dëgjoi idetë e grave sipërmarrëse, kryetari Veseli tha se idetë e tyre do t’i shërbejnë për të ndërtuar platformë zhvillimore e cila do t’u jep më shumë mbështetje grave në biznes dhe do të fuqizojnë rolin e tyre në vendimmarrje dhe shoqëri.
“Nuk ka shtet të fuqishëm pa ekonomi të zhvilluar dhe nuk ka ekonomi të zhvilluar pa biznese të vogla të cilat janë të shëndosha dhe janë të përkrahura. Unë ju kam dëgjuar sot dhe nuk ju kam dëgjuar për të heshtur, të jeni të sigurt. Po as për të mbetur këto në ambiente të mbyllura, kudo që po shkoj. Përkundrazi kanë me qenë obligime të mia”, ka thënë kryetari i Kuvendit.
Kadri Veseli, tash e disa javë, ka filluar turin e dëgjimit, gjatë të cilit po zhvillon takime me kategori të ndryshme në të gjitha qytetet e Kosovës për të dëgjuar prej tyre ide dhe për të bashkëbiseduar për të ardhmen.