Mëngjesi i së dielës ka qenë pak më ndryshe për dhjetëra pensionistë në Prishtinë. Ata kanë pirë kafen e mëngjesit dhe kanë bashkëbiseduar për reformat e nevojshme në sistemin pensional, me kreun e PDK-së, Kadri Veseli.
I pari i PDK-së vlerësoi rolin e pensionistëve kosovarë, ndërsa i siguroi se Qeveria e re do të ndërmarrë hapa të shpejt për reformat e nevojshme në sistemin pensional të Kosovës.
“Është e domosdoshme që së pari të rritet respekti institucional për pensionistët. Ka shumë aspekte të cilat duhet të ndryshohen dhe të avancohet statusi i pensionistëve. Ju kam thënë edhe më parë kur kemi bashkëbiseduar dhe sot po ju siguroj se pensionet kontributdhënëse do ti rrisim për rreth 22 për qind. Pra pensioni minimal kontributdhënës do të jetë 200 euro”, tha kryetari Veseli.
Kreu i PDK-së theksoi se pensionistët kosovarë kanë nevojë dhe meritojnë shumë më shumë respekt dhe lehtësira nga të gjitha nivelet institucionel, duke hequr për ta burokracitë dhe ngarkesat administrative.
“Nuk mundet me ecë Kosova përpara pa i respektuar të moshuarit. Dhe nuk ka shans ta ndërtoj të ardhmen e fëmijëve të vet, pa i respektuar të moshuarit e vet. Kështu që, nëse ka kategori që ju kemi borxh si shoqëri ata janë pensionistët”, tha Veseli.
Kryetari i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, Shaban Kajtazi, e falënderoi Veselin për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe kujdesin e treguar për pensionistët deri tani, ndërsa kërkoi që gjatë reformave të sistemit pensional të jenë të përfshirë edhe përfaqësuesit e pensionistëve kosovarë.