Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj në një intervistë ka folur për angazhimet e saj si deputete e Kuvendit të Kosovës për disa mandate radhazi, duke i veçuar disa prej tyre si më të rëndësishme, si dhe për tema aktuale.
Kadrijaj tha se qytetarët vazhdimisht kanë kërkuar reforma në shëndetësi, të ketë ligj për sigurime shëndetësore e që sot nuk është, si dhe ligje tjera të implementueshme.“Shëndetësia është një temë mjaftë e rëndësishme dhe mendoj se asnjë qeveri që nga paslufta nuk e ka pasur prioritet, andaj kërkesat e qytetarëve kanë qenë vazhdimisht për reforma në shëndetësi, të ketë ligj për sigurime shëndetësore, ligj të implementueshëm të shëndetësisë, në mënyrë që ne bashkë të trajtohemi dinjitetshëm nëpër institucione shëndetësore”, tha Kadrijaj.
Ajo shtoi se Bashkimi Evropian e ka diskriminuar Kosovën duke mos i liberalizuar vizat për qytetarët e Kosovës, e as dhënien e statusit të vendit kandidat, duke qenë populli më pro-evropian.“Meqë jam kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, fokusi im është avancimi i diplomacisë parlamentare. Në këtë periudhë ku Kosova është vendi i vetëm që ka ngelë pa liberalizim të vizave, pa statusin e vendit kandidat për BE, edhe pse jemi vendi më pro-evropian, ne angazhohemi maksimalisht që të dëshmojmë se Kosova I ka përmbushur të gjitha kriteret të përcaktuara nga BE-ja, dhe konsideroj se kjo është një padrejtësi që po i bëhet Kosovës sepse nuk mund të ketë integrim të Ballkanit Perëndimor pa Kosovën”, shtoi Kadrijaj.
Deputetja e AAK-së ka dhënë disa arsye se pse Ramush Hardinaj duhet të jetë president I Kosovës, sidomos për shkak të shumë proceseve nëpër të cilat po kalon vendi.“Ramush Haradinaj në çdo etapë e ka dëshmuar vetën se është lider unifikues dhe këtë e kemi me dëshmi, njeriu që e beri luftën dhe që ka ditur ta bëjë edhe paqen, është njeriu që i dha shumë shtetit dhe Kosovës në përgjithësi. Çdo kryeministër duhet ta dëshmojë vetën me rezultate konkrete gjatë qeverisjes, ndërsa një prej rezultateve më të mëdha të qeverisë Haradinaj është formimi i Ushtrisë së Kosovës, ëndërr kjo e çdo qytetari të Kosovës. Nuk ka qenë e lehtë aspak, por kryeministri Haradinaj ka arritur t’i ndryshojë disa ligje që kanë mundësuar formimin e Ushtrisë sonë e cila është garanci e paqes në Kosovë dhe përtej saj. Kjo është një prej arsyeve që Haradinaj duhet të jetë president i Kosovës, sepse në këto momente kur po përballemi me shumë procese, edhe të shtet-ndërtimit edhe rreth Gjykatës Speciale mendojmë se njeriu i duhur për pozitën e presidentit është pikërisht Ramush Haradinaj, andaj duhet përkrahja e gjithë spektrit politik sepse këto procese por edhe dialogu mund të jetë të sigurta duke qenë Ramush Haradinaj president”, përfundoi Kadrijaj.