Kryetarja e Forumit të Gruas të LDK-së, Lirije Kajtazi, ka thënë të hënën në një takim me kandidatet gra të LDK-së për kryetare dhe asamble komunale se jam e bindur se shumica e komunave të Kosovës, pas 22 tetorit do të udhëhiqen nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Këtë bindje po na e forcon çdo ditë e më shumë mënyra se si qytetarët e të gjitha komunave të Kosovës po e pranojnë alternativën qeverisëse të LDK-së”, ka thënë Kajtazi, gjatë prezantimit të programit të LDK-së për fuqizimin e grave dhe vajzave.
Ajo ka thënë se ashtu sikurse gratë dhe vajzat që përfaqësojnë Lidhjen Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Kosovës dhe që kanë përfaqësuar partinë tonë në kuvendet komunale, sigurisht edhe gratë e vajzat që do ta përfaqësojnë LDK-në në kuvendet e ardhshme komunale, do të jenë të vetmet që do të zgjidhen me vota të qytetarëve, e jo mbi bazën e parimit të kuotës së përcaktuar prej 30 për qind për gratë.
“Edhe tash, në listën e kandidatëve për kuvendet komunale, kemi vajza e gra, të cilat jam e bindur se do të zgjedhen asambleiste me votat që do t’i marrin vet dhe në këtë mënyrë do të jenë një zë i fortë i përfaqësimit dhe fuqizimit të gruas kosovare në shoqëri dhe shtet. Kandidatet e LDK-së, janë të profileve të ndryshme, përfaqësojnë çdo cep të Kosovës dhe do të jenë artikuluese të programit tonë për qeverisjen e komunave të Kosovës gjatë mandatit të ardhshëm”, ka thënë ajo.
Kajtazi ka shtuar se gratë dhe vajzat në listën tonë të kandidatëve për asambleistë, janë pjesë e një liste të fitores së sigurt, brenda të cilës janë të gërshetuara gjenerata e pavarësimit dhe ajo e Republikës.
“Gratë dhe vajzat janë pjesë e statistikave impresionuese të listës sonë të kandidatëve për asambleistë. Në mënyrë të veçantë dua ta inkurajoj kandidaturën e Hyrijete Isufi për kryetare të komunës së Hanit të Elezit”, ka thënë Kajtazi.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë me këtë rast se është vërtetuar se lidershipi i grave është më i suksesshëm, është më demokratik, është më pak i korruptuar dhe është më efektiv.
“Në mënyrë shkencore është vërtetuar se korrupsioni te gratë është shumë më pak prezentë, sjellja demokratike është shumë më e madhe, kultura e komunikimit është më e madhe”, ka thënë Mustafa.
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se LDK si parti e qendrës së djathtë dhe e integruar plotësisht në familjen e Partive Popullore Evropiane, është e vendosur që ta avancojë rolin e gruas, që gruaja të vendos për procese të rëndësishme në shoqëri dhe të jetë vendimmarrëse.
“Të gjitha analizat politike dhe shkencore thonë se shoqëritë që avancojnë gruan janë më të zhvilluara. Teoritë ekonomike kanë treguar se vendet e zhvilluara janë të tilla duke iu falënderuar rolit të madh të grave në ekonomi. Gratë dhe vajzat tona e kanë arsyetuar besimin e qytetarëve me punë. Shembuj të tillë kemi plot. Pa modesti e them që qytetarët e Kosovës, gratë e vajzat punëtore dhe të përkushtuara mund t’i gjejnë vetëm në listën tonë”, ka thënë Bajrami.
Ajo ka shtuar se jemi kujdesur që edhe në programin tonë qeverisës të parashohim fuqizimin e rolit të gruas në shoqëri dhe shtetin tonë.
“Qeveritë komunale të udhëhequra nga Lidhja Demokratike e Kosovës, jam e bindur se do të angazhohen veçanërisht për zbatimin e ligjit për barazi gjinore dhe ligjeve të tjera që përkrahin pozitën më të mirë të gruas në shoqëri. Buxhetimi gjinor në komunat e udhëhequra nga Lidhja Demokratike e Kosovës do të sjellë gjithashtu një mundësi më të madhe për zhvillimin dhe avancimin e pozitës së gruas në shoqërinë tonë”, ka thënë Bajrami.