Sopranoja kosovare Elbenita Kajtazi, e cila po bën karrierë në Gjermani, do të bëhet pjesë e një projekti muzikor pak më ndryshe se ato të mëparshmet. Do të ngjitet në skenë me emra të mëdhenj të skenës së muzikës klasike botërore.
Bashkë me dirigjentin e njohur amerikan Kent Nagano e pianistin rus Nikolai Lugansky, ajo do të këndojë nën përcjelljen e orkestrës prestigjioze gjermane “Philharmonisches Staatsorchester Hamburg” (Hamburg Philharmonic State Orchestra), shkruan sot “Koha Ditore”.
Ata do të sjellin disa këngë nga mjuziklli i njohur “West Side Story”, që konsiderohet “Romeo dhe Xhulieta” e kohëve moderne. Por këtu ngjarja zhvillohet në New York dhe bëhet fjalë për dy grupe të gangsterëve të rrugës.
Muzikën e këtij mjuzikli e ka bërë Leonard Brenstien me tekst të Stephen Sondheim dhe është inspiruar pikërisht nga tragjedia e Shakespearit. Kajtazi do të këndojë dy këngë nga ky mjuzikëll, “I Feel Pretty” dhe duetin “Balcony Scene” bashkë me tenorin Oleksiy Palchykov.
Këto këngë do të këndohen nën ambient të hapur në “Rathausmarkt Open Air” dhe koncerti do të transmetohet në kanalet e njohura “Arte” e Zdf”. Një ngjarje e tillë do të zërë vend në muaji gusht.