Kalaja e Harilaqit do të shndërrohet në një atraksion turistik. Kështu u shpreh ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, që vizitoi Kalanë e Harilaqit, ku u njoftua për së afrimi më gërmimet arkeologjike, konservimet dhe restaurimet që po bëhen në këtë lokalitet me rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore të Kosovës.
Ministri Gashi i përgëzoi arkeologët për punën e realizuar në kala dhe u shpreh se MKRS-ja do ta përkrah vazhdimësinë e punëve në këtë lokalitet. Ai tha se trashëgimia mbetet ndër prioritetet e ministrisë.
“Kalaja e Harilaqit është një pasuri kulturore e jashtëzakonshme jo vetëm e Fushë-Kosovës, por e tërë vendit, dhe ne, me mbështetjen dhe punën e përbashkët do ta ruajmë, promovojmë dhe shndërrojmë këtë lokalitet në një atraksion turistik”, tha ministri.
Udhëheqësi i punimeve në Kalanë e Harilaqit, profesor Arben Hajdari, e informoi ministrin Gashi për procesin e konservimit dhe restaurimit në kala dhe për planet në të ardhmen për këtë lokalitet me një hapësirë prej 130 arësh.
“Nuk është një kala e rëndomtë, por është një kala unike në llojin e vet në bazë të strukturës së saj dhe materialit specifik arkeologjik që ka kalaja dhe në bazë të gjetjeve vlerësohet se ka qenë një pikë pelegrinazhi”, tha Hajdari.
Ndërsa, drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, Enver Rexha, u shpreh i gëzuar për gatishmërinë e shprehur nga ana e ministrit Kujtim Gashi, për vlerësimin e punës që është bërë në kala dhe mbështetjen e premtuar për vazhdimin e punimeve në lokalitetin në fjalë.
MKRS-ja gjatë pesë viteve të fundit, në realizimin e punimeve në Kalanë e Harilaqit ka investuar projekte në vlerë që kalojnë shumën e 200 mijë eurove dhe në bazë të projeksioneve buxhetore ministria do të mbështesë edhe më tutje realizimin e punimeve në këtë lokalitet me rëndësi të veçantë.