Policia e Kosovës ka ngritur kallëzim penal të premten kundër drejtuesit të portalit Infojeta në Mitrovicë, Musa Mustafa. Ai po dyshohet se ka bërë raportim të rremë para katër ditësh, kur ka deklaruar se është kërcënuar me vdekje përmes një mesazhi në gjuhën serbe.
Për këtë rast dy herë ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK). Fillimisht e ka dënuar aktin e kërcënimit, kurse pas njoftimit për ngritje të kallëzimit penal ka thënë se do të vazhdojë të monitorojë këtë rast së bashku me institucionet kompetente, shkruan sot Koha Ditore.
Vetë Mustafa gjatë ditës së premte nuk u është përgjigjur thirrjeve të gazetës. Në ditën kur ka thënë se ka pranuar mesazh, ai ka shkruar në hollësi për rastin që tani policia thotë se është i rremë.
“Sot në mbrëmje kam marrë një kërcënim përmes një SMS-i në telefon se do të vritem dhe se do të ma zhdukin edhe familjen. Në këtë kërcënim më tutje thuhet se do të ma zhdukin edhe ‘farën’ shqiptare, nëse shkruaj më kundër serbëve. Sms-i është dërguar në gjuhen serbe nga një numër i IPKO-s, që, sipas policisë, tani më nuk është i qasshëm në rrjet”, ka shkruar të martën Mustafa.
“Rastin e kam paraqitur në Stacionin e Policisë në jug të Mitrovicës, ndërsa për kërcënim është njoftuar edhe Prokuroria. Numri që më ka dërguar mesazh nuk është i qasshëm. Po pres nga policia që të hetojë rastin”.