Komisioni për buxhet krijon paqartësi – Kaloi apo jo amandamenti për mbështetjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së?

Prishtinë | 19 Shk 2026 | 17:06 | Nga Drita Dërmaku

Ndonëse kryetari i Komisionit për Buxhet, Enver Haliti, e konstatoi si mbështetje, zyrtarët ligjor të Kuvendit e përmirësuan atë se amandamenti për dyfishimin e mbështetjes për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së nl Hagë nuk ka kaluar, pasi që vetëm katër anëtarë ishin për, tre kundër dhe dy abstenime, raporton Ekonomia Online.

Zyra ligjore ua sqaroi që amandamenti nuk mund të kalohet kur ka dy abstenime.

Anëtarët më pas patën diskutime mes tyre nëse amendamenti kalon apo jo. Disa prej tyre u shprehën të bindur se kalon, megjithatë prapa kamerave u tha se ai nuk u miratua.

Për votuan deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, deputetët e PDK-së, Kujtim Gashi e Mërgim Lushtaku, deputeti i LDK-së, Besian Mustafa dhe deputeti i AAK-së, Duat Haradinaj. 

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, tha se amendamenti është tejet i rëndësishëm për identitetin dhe reputacionin e vendit tonë.

“Kërkoj mbështetjen për amendamentin, i cili është shumë i rëndësishëm, për shkak se propozohet të dyfishohet mbështetja për të akuzuarit tanë që janë në Hagë”.

“Pra, bëhet fjalë për çështje shumë të rëndësishme – për identitetin dhe reputacionin e vendit tonë. Duke pasur parasysh se ka nevojë për mbështetje më të avancuar dhe më të lartë nga shteti i Kosovës, kjo është në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi”, tha ai.

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se procesi gjyqësor në Hagë është drejt fundit, andaj 8 milionë eurot e ndara janë të mjaftueshme.

Ndërsa, kryetari i Komisionit Enver Haliti shprehi besimin se ish-krerët e UÇK-së, do të kthehen së shpejti të lirë në Kosovë dhe se po të jetë e nevojshme, do të ndahen mjete shtesë.

Deputeti Fatos Geci nga Lëvizja Vetëvendosje nuk e përkrahu këtë amendament, sepse sipas tij, ata nuk janë themelues shteti.

“Nuk janë themelues shteti dhe nuk konsideroj që duhet të votohet”, tha ai.

Të ngjashme