“Nga 14 orë në ditë, tash e një muaj” – Kaq kohë, sipas vartësve, kryeministri Albin Kurti po i kalon në punë që nga 23 marsi kur e mori detyrën për herën e dytë, shkruan Klan Kosova.
E në këtë kohë më së shumti u mor me pandeminë dhe vaksinat, për çka vartësit e tij krenohen se më shumë ka të shëruar sesa të infektuar. Ndërsa vendimi kryesor deri tani cilësohet të jetë inicimi i konfiskimit të pasurisë.
Por, shefi i ekzekutivit që do t’i ketë nga dy zëvendësministra në secilën ministri, sipas zëdhënësit, Përparim Kryeziu, gjatë javës së ardhshme do ta publikojë programin qeverisës.
Aty parashihet ndërlidhje mes dy mandateve.
Do të merren edhe me publikime, që këta i cilësojnë si dëshmi të keqpërdorimeve të së kaluarës.
Do të merren edhe me dialogun, ku zotohen se nuk lëshojnë pe tek asociacioni i komunave serbe, që sipas tyre nuk mund të jetë një etnik.
Deri tani nuk kanë ndonjë të dhënë se kur pritet të fillojnë diskutimet, por zëdhënësi Kryeziu siguron se kjo nuk ndodh javën e ardhshme kur Kurti do të gjendet në Bruksel.
Atje, zëdhënësi thotë se shefi i ekzekutivit do të qëndrojë dy ditë, dhe do takohet me përfaqësues të institucioneve të BE-së.