Në Kuvendin e Kosovës është miratuar Projektligji për policinë ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Të gjithë deputetët e pranishëm në sallën e Kuvendit votuan pro këtij projektligji.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca njoftoi se 74 deputetë votuan për, asnjë s’ishte kundër si dhe nuk pati asnjë abstenim.
Përderisa, zhvillohej debati në Kuvendin e Kosovës, kryetari i Komisionit për çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes Bekë Berisha, ka thënë se do ta mbështesin këtë projektligj.
“Miratimi i këtij projektligji siguron avancimin e bazës ligjore për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Unë jam për të miratuar këtë projektligj dhe kisha ftuar deputetët ta miratojnë” , tha Berisha.
Kurse, Enver Dugolli LVV-ja tha se “raportet dhe komunikimet qe rregullohen me këtë ligj rrisin efikasitetin e shkeljeve ligjore brenda kazermave dhe jashtë tyre. “ Grupi parlamentar i VV-së e mbështet këtë projektligj dhe ftojmë miratimin e tij”.
Hisen Berisha nga PDK-ja tha se edhe grupi parlamentar i tij e mbështet këtë projektligj.
“Është ligj i rëndësishëm edhe ne si PDK e mbështesim”.
Anton Quni nga LDK-ja tha se edhe partia e tij e mbështesin projektligjin. “E mbështesim projektligjin edhe ne si LDK”, tha Quni.
74 deputet kanë miratuar 14 amendamentet e projektligjit.
Ndërsa Projektligji nr.08/L-113 për Policinë Ushtarake në Forcën e Sigurisë së Kosovës, 74 deputet kanë votuar projektligjin asnjë kundër dhe asnjë abstenim.