Kam frikë nga më e keqja”, nëna e Vukashinoviq që u plagos e u rrëmbye nga xhandarmëria serbe, kërkon ndihmë nga EULEX-i dhe KFOR-i

Prishtinë | 14 Nën 2025 | 09:35 | Nga Ekonomia Online

Besim nuk pati tek institucionet e Serbisë, për fatin e të birit, nëna e serbit nga Kosova, Millan Vukashinoviq i cili më 1 nëntor u plagos e më pas që dyshohet se u rrëmbye nga xhandarmëria serbe në territorin e Republikës së Kosovës, më saktësisht në Jellackë të Leposaviqit, erdhi ta kërkojë te EULEX dhe KFOR në Prishtinë.

Nëna e Vukashinoviqit në një deklaratë për Tëvë1, tha nuk ka fare besim në institucionet në Beograd, andaj po kërkon ndihmë nga ndërkombëtarët, duke shtuar se që nga 1 nëntori nuk ka asnjë informacion në lidhje me djalin e saj. Ajo thekson se edhe ato që edhe ato informata që jepen për rastin e të birit, janë kontradiktore.

 “Kam ardhur të kërkoj ndihmë nga EULEX-i, nëse mund të më takojnë, të më marrin birin tim sepse nuk kam besim në institucionet e Serbisë. Dita e 13-të dhe unë ose nuk marr informata, ose i marr informatat që janë kontradiktore. Vizitat nuk janë të lejuara, nuk e kam parë qe 13 ditë, nuk më lejojnë as mua, as avokatin”, deklaroi nëna e Vukashinoviq.

Ajo ka shprehur frikën se gjithçka mund të ndodhë me djalin e saj, e madje nuk beson që Millan Vukashinoviq po trajtohet në Spitalin e Nishit.

“Nuk kam besim se është duke u shëruar atje, kam frikë nga më e keqja. Për këtë arsye kam ardhur të kërkoj ndihmë nga EULEX-i dhe KFOR-i. Nuk e di, sepse çdo ditë më japin informata më ndryshe. Çdo ditë ndryshojnë. Ditën e 9-të më kanë thënë se duhet operim në nyjën e këmbës. Në fillim as nuk e kanë përmendur”, tha ajo.

E në një përgjigje për Tëvë1, EULEX-i ka konfirmuar se janë duke e monitoruar rastin.

Sipas zëdhënëses, Nicolle Miller, EULEX-i është i gatshëm të lehtësoi shkëmbimin e informacioneve midis Serbisë dhe Kosovës nëse i kërkohet nga institucionet e vendit.

“Në përputhje me mandatin tonë aktual, EULEX-i po e monitoron këtë rast. Për më tepër, EULEX-i është i gatshëm të mbështesë hetimin duke lehtësuar shkëmbimin e informacionit policor midis Policisë së Kosovës dhe Interpolit, Europolit dhe Ministrisë së Brendshme të Serbisë, nëse një ndihmë e tillë kërkohet nga institucionet përkatëse të Kosovës që mbajnë përgjegjësinë për të hetuar rastin në mënyrë efektive dhe të paanshme”, u tha ajo.

Më 1 nëntor, Millan Vukashinoviq shkoi për të blerë mjaltë nga një shoku i tij, ku më pas dyshohet se xhandarmëria serbe plagosi dhe më pas e rrëmbeu pesë metra brenda territorit të Kosovës në pikën zero të fshatit Jellackë të Leposaviqit.

Të ngjashme