Sulmuesi kosovar Florian Kamberi pret nga trajneri Steven Gerrard që ta aktivizojë në ndeshjen e të mërkurës kundër klubit portugez Braga në Ligën e Evropës.
Kamberi ka thënë se është i gatshëm të udhëheqë sulmin e Rangersit.
“Unë mundohem çdo ditë të jap maksimumin në stërvitje, por respektoj çdo vendim të trajnerit. Unë respektoj çdo vendim që bën trajneri, pasi ka të bëjë me Rangersin dhe për më të mirën e klubit e jo për mua. Unë do të jem i gatshëm kurdo që më jep rastin dhe jam i gatshëm të kryej detyrën në sulm kundër Bragas”, ka thënë Kamberi për mediumet skoceze, transmeton Koha.net.
Kamberi të dielën shënoi një gol dhe asistoi një tjetër në barazimin 2:2 të Rangersit në udhëtim ndaj St. Johnstonet në elitën e futbollit skocez. Ai u aktivizua në fillim të pjesës së dytë. Për Kamberin ishte goli i parë me Rangersin, klubin ku është huazuar në janar nga Hiberniani.