Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka kritikuar trajtimin e pakicave nacionale, procesin e përfaqësimit të tyre në këtë parlament dhe sistemin zgjedhor atje.
“Për dallim nga shtetet e rajonit, në të cilat përfaqësimi i pakicave në parlament bëhet me vendet e garantuara, sistemi aktual zgjedhor e bën Serbinë shtet etnocentrik, me serbët në qendër dhe ne tjerët (barbarët) në periferi”, ka thënë Kamberi.
Sipas tij, ndër indikatorët më të rëndësishëm të demokracisë në një shtet është edhe mënyra e trajtimit të pakicave nacionale. Prandaj edhe pjesëmarrjes së pakicave nacionale në procesin e marrjes së vendimeve politike prej nivelit lokal të ai qendror, është temë të cilës institucionet ndërkombëtare i kanë kushtuar rëndësi.
“Pjesëmarrja efektive e pakicave nacionale në jetën publike, është pjesa më qenësore e një shoqërie demokratike dhe paqësorë” thuhet në Sugjerimet nga Lunfi, të Komesarit të lartë të OSBE-së, për pakicat nacionale. Ndërsa rekomandimet e Lubjanës, të të njëjtit institucion flasin për domosdoshmërinë që me “legjislacion të brendshëm duhet të pranohet e kultivohet diversiteti i një shoqërie”, shkruan Kamberi, në një postim në Facebook.
Ai ka thënë se shtetet të cilat kanë lëvizur dhe po lëvizin kah demokracia liberale si Kroacia, Sllovenia e Kosova, për të siguruar pjesëmarrjen efektive të pakicave në jetën publike, me legjislacionin e brendshëm garantojnë parime të atilla që sigurojnë pjesëmarrjen e pakicave në jetën politike e publike.
“Kosova, mund të thuhet se është shembull më i mirë i trajtimit institucional të pakicave. Ndryshimi i Kushtetutës së Kosovës mund të bëhet vetëm nëse për të ndryshim 2/3 të deputeteve nga radhët e pakicave i cili njëkohësisht, në parlamentin e Kosovës, garanton 20, nga 120 sa ka Parlamenti, mandate për pakicat (10 për serbët). Nga pesë nënkryetarët e parlamentit pakicave i takojnë dy nënkryetarë …”, thotë Kamberi.
Sipas tij, vetë Kushtetuta e Serbisë e definon Serbinë si “shtet të serbëve dhe të tjerëve” që në praktikë krijon mundësinë e pozitës dominonte të serbëve ndaj të tjerëve.