Deputeti shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, , e ka mbështetur vendimin e Kosovës për të vendosur reciprocitet me Serbinë në çështjen e targave të automjeteve, duke thënë se nuk pret destabilizim të situatës në pikat kufitare.
Kamberi thotë se fajin për situatën e krijuar me targat, e ka Beogradi.
“Ky vendim i fundit duhet parë në kontekst të moszbatimit të marrëveshjes së tabelave të regjistrimit të marrëveshjes së Brukselit, të cilën Serbia po e injoron në vazhdimësi. Është një çështje e cila përmendet edhe në Raportin e Progresit të Serbisë, të cilën BE-ja e ka publikuar në marsin e këtij viti, ku i bëhet vërejtje Serbisë që nuk po zbaton këto marrëveshje. Prandaj edhe në këtë kontekst mendoj se është e drejtë masa që Qeveria e Kosovës ka vendosur. Unë shpresoj që ky vendim së pari është dakorduar me miqtë ndërkombëtarë. Shpresoj që qeveria e di përgjegjësinë që ka marrë, se Serbia mezi po pret të tensionojë situatën për të dëshmuar se Kosova është ajo që po destabilizon raportet mes dy shteteve, por edhe raportet në tërësi në Ballkan. Në këtë aspekt, unë besoj dhe shpresoj që qeveria ka pasur një konsultim me faktorët ndërkombëtarë të cilëve u ka bërë me dije me kohë përmasat që i ka ndërmarrë”, thotë Kamberi për a2news.